2013-01-18 17:48:38

Arabia Saudite diskuton për pjesëmarrjen e grave në Këshillin e Shura-s


Mundësia që gratë të marrin pjesë në Këshillin e Shura-s, po shkakton debate të shumta në Arabinë Saudite, e cila për herë të parë do t’u rezervojë 20% të asamblesë se këtij organi këshillimor, që propozon ligje e masa të ndryshme, por nuk vendos për to. Deri tani, edhe ky Këshill ishte vetëm për burrat. Gratë, që do të marrin pjesë në të, do të jenë 30 e do të hyjnë nga një derë e veçantë, të mbuluara me ferexhe. Pavarësisht se e vlerësojnë këtë ndryshim, ekspertët vënë në dukje se mund të bëhej më shumë për të drejtat e grave. Të dëgjojmë pedagogun italian Renxo Guolo, profesor i Sociologjisë së Islamizmit në Universitetin e Padovës:
Është një hap simbolik, një hap i parë, që ndjek ato të viteve të kaluara, kur familja mbretërore e Arabisë Saudite e kuptoi se nuk mund ta frenonte shumë lirinë, edhe atë të femrave, sepse kjo do të sillte pasojat, që u panë në vende të tjera. Prandaj, ishte një lloj mase parandaluese për të mos lejuar që proceset e pranverës arabe të fillonin edhe në Arabinë Saudite.
Gjendja e grave në vend është problematike, por popullsia po ndërgjegjësohet për këtë. Pas vendimit, në rrjetin shoqëror Twitter, vetë arabët shkruanin se mund të bëhej më shumë…
Është e qartë. Liria e grave është në fillesat e saj, pa dyshim. Ka një sërë problemesh, si për shembull, femrat duhet të marrin leje për t’i dhënë makinës, pastaj sharia i penalizon, nuk u jep të drejta. Hapat e kohëve të fundit nuk e ndryshojnë gjendjen në thellësi, por janë një sinjal. Duhet kuptuar nëse në elitën e grave, që frekuentojnë ambientet e monarkisë saudite, mund të imagjinohet një presion i fuqishëm, një nxitje drejt hapave të tjera, që ndryshojnë gjendjen e femrave. Edhe në të kaluarën, ndryshimet kanë ardhur gjithnjë nga brenda.
Po, por i ngacmuan jo pak krerët fetarë vehabitë…
Po, edhe për këtë hap nuk do të jenë shumë dakord. Kleri vehabit është kundër çdo lloj rruge drejt lirisë së femrës. Por, në këtë fazë, është e qartë se mbreti luan rolin e ndërmjetësuesit mes nevojës për të ruajtur një farë legjitimiteti fetar, i cili jepet nga ulematë, dhe presioneve të brendshme të ambienteve të monarkisë për ta bërë më të butë sistemin. Duke mos qenë i mundur pluralizmi politik, këto masa i përkasin vetëm fushës së të drejtave; janë shenja simbolike ndryshimi, megjithëse të kufizuara. Është një shteg, për të cilin do të flasim edhe në të ardhmen, nëse lëvizjet e brendshme të Arabisë Saudite do të dinë të ecin me shpejtësi në të.








All the contents on this site are copyrighted ©.