2013-01-17 14:42:00

Çelësi i fjalëve të Kishës, Besojma e Papës Pali VI, pjesa e dytë


Të dashur dëgjues, javën e kaluar filluam të transmetojmë “Besojmën” e Papës Pali VI. Ju kujtojmë se është fjala për një tekst, të shqiptuar nga Ati i Shenjtë më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, Pali VI, me tekstin e titulluar pikërisht “Ne besojmë”, u përçonte besimtarëve të vërtetat e fesë së krishterë. Sot, do të ndiqni pjesën e dytë të fjalimit:
NE BESOJMË në Zotin tonë Jezu Krisht, Bir i Hyjit. Ai është Fjala e amshuar, lindur prej Atit para të gjithë shekujve dhe i njëgjëjtë me Atin, “homoousios to Patri” (Dz.-Sch. 150); nëpërmjet të cilit u bë gjithçka. Ai u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt në kraharorin e Virgjërës Mari, e u bë njeri: prandaj, i barabartë me Atin në hyjni e inferior, në krahasim me Atin, si njeri (shih Dz.-Sch. 76), e Ai vetë një, jo për hir të ndonjë konfuzioni të pamundur të natyrave të Tij, por për hir të unitetit të personit (shih Ibid.).
Ai banoi ndër ne, i mbushur me hir e me të vërtetën. Ai shpalli dhe vendosi Mbretërinë e Zotit e, përmes Vetvetes, na bëri ta njohim Atin Qiellor. Ai na dha Urdhërimin e ri, ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na ka dashur. Na mësoi udhën e Lumnive të Ungjillit: varfërinë në shpirt, butësinë, durimin për t’i rezistuar dhimbjes, etjen për drejtësi, mëshirën, dlirësinë e shpirtit, vullnetin për paqe, vuajtjen e persekutimit për hir të drejtësisë. Ai pësoi nën Poncin Pilat, Qingji i Hyjit që merr mbi vete mëkatet e botës, e vdiq për ne në Kryq, duke na shpërblyer me Gjakun e tij Shëlbues. Ai u varros e, në sajë të pushtetit të vet, u ngjall të tretën ditë, duke na lartuar me Ringjalljen e Tij derisa të marrim pjesë në jetën hyjnore, që është jetë hiri. Ai u ngjit në Qiell e do të vijë sërish në lavdi, për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, secilin sipas meritave; prandaj do të shkojnë në jetë të amshuar ata, që i janë përgjigjur Dashurisë dhe Mëshirës së Zotit dhe, do të shkojnë në zjarrin e pashuar ata, që deri në fund, i kanë kundërshtuar e refuzuar.
E Mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.
NE BESOJMË në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëbërës; që adhurohet e lavdërohet së bashku me Atin e me Birin. Ai na foli me anë të profetëve, na u dërgua nga Krishti pas Ringjalljes e pas Ngjitjes së Tij tek Ati Qiellor; Ai shndrit, gjallëron, mbron e udhëheq Kishën, purifikon anëtarët e saj, nëse nuk largohen prej hirit të Tij. Veprimi i Tij, që depërton në thellësinë e shpirtit, e bën njeriun të aftë t’i përgjigjet ftesës së Jezusit: “Jini të përkyer, siç është i përkryer edhe Atit juaj, që është në qiell” (Matth. 5,48)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.