2013-01-17 15:13:00

Papa delegacionit ekumenik finlandez: të krishterët, të bashkuar në çështjet e moralit shoqëror


Papa Benedikti XVI priti sot në Vatikan, delegacionin ekumenik të Finlandës, me rastin e festës së shën Henrikut, Pajtor i vendit. Në prag të fillimit të Javës për Bashkimin e të Krishterëve, Papa vuri theksin pikërisht në udhën e ekumenizmit, në të cilën, sipas tij, duhet ecur me përvuajtëri. Ati i Shenjtë u bëri thirrje të gjithë të krishterëve të bashkohen për t’i shndritur me dritën e Ungjillit edhe çështjet e mëdha morale, që duhet të përballojë shoqëria, në kohën e sotme.
Papa iu drejtua delegacionit finlandez, por përfshiu të gjithë botën, duke u kërkuar të krishterëve të bëhen “fanari i gëzimit dhe i shpresës” për të gjithë ata, që kërkojnë siguri, në këtë botë, e cila ndryshon me shpejtësi:
“Ecja në udhët e bashkimit ekumenik na kërkon të jemi gjithnjë e më të bashkuar në lutje, gjithnjë e më të impenjuar në ndjekjen e shenjtërisë e më të përfshirë në punën kërkimore teologjike e në bashkëpunimin për një shoqëri të drejtë e vëllazërore”.
Më pas, Papa vuri në dukje se të gjithë të krishterët duhet të ecin së bashku në rrugën e ngushtë të besnikërisë ndaj vullnetit të Zotit, për të përballuar kështu, çdo vështirësi e pengesë. Benedikti XVI uroi që vizita e delegacionit finlandez në Romë të forcojë marrëdhëniet ndërmjet të gjithë të krishterëve të vendit skandinav:
“Të lutemi, që Shpirti i së vërtetës t’i udhëheqë të krishterët finlandezë drejt bashkimit më të madh, në mënyrë që të çojnë dritën e Ungjillit në çështjet e mëdha morale, që duhet të përballojë shoqëria sot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.