2013-01-17 13:04:02

Imzot Mambertì për vendimet e Gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut: kërcënohen liria fetare e edhe ajo e ndërgjegjes.


Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut shpalli, të martën e kaluar, vendimet për katër çështje, që kanë të bëjnë me lirinë e ndërgjegjes dhe atë të fesë, lidhur me nëpunësit e Mbretërisë së Bashkuar. Dy raste, me mundësinë e mbajtjes së një kryqi të vogël në qafë, në vendin e punës; e dy të tjera, me kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes, të kremtimit të një bashkimi civil ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks dhe këshillimit martesor për çiftet homosksuale. Imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, i dha një intervistë Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë Prelatin, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Këto raste dëshmojnë se çështjet, lidhur me lirinë e ndërgjegjes e të fesë, janë të ndërlikuara, posaçërisht në shoqërinë evropiane, ku vijojnë të thellohen larmitë fetare e të ashpërsohet laicizmi. Është i prekshëm rreziku që relativizmi moral, i cili imponohet si normë shoqërore, t’i minojë themelet e lirisë individuale të ndërgjegjes e të fesë. Kisha dëshiron t’i mbrojë liritë vetjake të ndërgjegjes e të fesë në çdo rrethanë, edhe përballë ‘diktaturës së relativizmit’. Prandaj është e nevojshme ta shpjegojmë racionalitetin e ndërgjegjes njerëzore në përgjithësi e të mënyrës si veprojnë të krishterët, në veçanti. Kur është fjala për probleme morale, që krijojnë diskutime, si aborti ose homoseksualiteti, duhet respektuar liria e ndërgjegjes. Respekti për lirinë e ndërgjegjes e të fesë, është kusht, e jo pengesë, për ndërtimin e një shoqërie tolerante, në pluralizmin e saj.
Duke iu drejtuar javën e kaluar Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI nënvizoi se për ta mbrojtur faktikisht ushtrimin e lirsë së fesë, është themelore të respktohet liria e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes. Ky front i lirisë, cek parime me rëndësi të madhe, me karakter etik e fetar, të rrënjosura në vetë dinjitetin e njeriut. Janë si ‘mure’, që e mbajnë në këmbë ndërtesën e çdo shoqërie, e cila dëshiron jo vetëm të quhet, por edhe të jetë vërtet e lirë e demokratike. Si pasojë, ta ndalosh kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes individuale e institucionale, në emër të lirisë e të pluralizmit, do të thotë, paradoksalisht, t’i hapësh portat intolerancës dhe rrafshimit të detyruar të vlerave. Cënimi i lirisë së ndërgjegjes shpreh një farë pesimizmi përsa u përket aftësive të ndërgjegjes njerëzore për të dalluar të mirën nga e keqja, në dobi të një ligji të vetëm pozitiv, që kërkon ta monopolizojë përcaktimin e moralitetit. Prej këndej Kisha e ka për detyrë të kujtojë se çdo njeri, pavarësisht nga besojma, është i pajisur me ndërgjegje, me aftësi për të dalluar të mirën nga keqja e, si pasojë, edhe për të vepruar. Ky është burimi i vërtetë i lirisë.

Pyetje: - Kohët e fundit, misioni i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës botoi një notë kushtuar lirisë dhe pavarësisë institucionale të Kishës. Mund të na e shpjegoni shkurtimisht përmbajtjen e saj?

Përgjigje: - Aktualisht, çështja e lirisë së Kishës në marrëdhëniet e saj me autoritetet civile po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut në dy raste, që kanë të bëjnë me Kishën ortodokse të Rumanisë e me Kishën katolike. Është fjala për çështjen e Sidicatul “Pastorul cel Bun” kundër Rumanisë dhe atë të Fernandez Martinez kundër Spanjës. Në këto raste, përfaqësia e përhershme e Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, hartoi një notë të shkurtër, në të cilën përmbledh mësimet e Papës mbi lirinë dhe pavarësinë institucionale të Kishës katolike.

Pyetje: - Për ç’problem bëhet fjalë në këto dy raste?

Përgjigje: - Në këto dy raste, Gjykata evropiane duhet të vendosë në se pushteti civil e respekton Konventën evropiane mbi të drejtat e njeriut, duke refuzuar të njohë një sindikatë profesionale meshtarësh (përsa i përket Rumanisë), e duke refuzuar emërimin e një mësuesi besimi, që shpallte publiksiht qëndrime të kundërta me Doktrinën e Kishës (në rastin spanjoll). Në të dy rastet e drejta për lirinë e shoqërizimit dhe e drejta e lirisë së shprehjes u kujtuan, për t’i detryar bashkësitë fetare të veprojnë në kundërshtim me statutin e tyre kanonik si dhe me mësimet e Papës. Përveç kësaj, të dy rastet vënë në diskutim lirinë e Kishës për të vepruar sipas rregullave të veta e për të mos iu nënshtruar normave të tjera civile, në se këto nuk janë të nevojshme lidhur me respektimin e së mirës së përbashkët edhe të një rendi të drejtë publik, Kisha ka qenë gjithnjë e detyruar të mbrohet, për të ruajtur pavarësinë e saj përballë pushtetit civil dhe ideologjive. Sot në vendet perëndimore është me rëndësi të dihet si mund ta kuptojë e ta respektojë kultura sunduese, e përshkuar fund e krye nga individualizmi materialist dhe nga relativizmi, natyrën e veçantë të Kishës, bashkësi e themeluar mbi fenë e arsyen.

Pyetje: - Si po jeton Kisha këtë situatë?

Përgjigje: - Kisha është e vetëdijshme se, në një shoqëri pluraliste, është e vështirë të vendosen marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve civile dhe bashkësive të ndryshme fetare lidhur me kërkesat e unitetit shoqëror e të së mirës së përbashkët. Në këto rrethana, Selia e Shenjtë kujton se duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe nevojës për mbrojtjen e lirisë fetare në përmasën kolektive e shoqërore. Kjo përmasë i përgjigjet natyrës shoqërore të njeriut, si fenomen fetar e edhe fenomenit fetar në përgjithësi. Kisha nuk kërkon që bashkësitë fetare të jenë zona që nuk i nënshtrohen ligjit, përkundrazi, dëshiron të njihen si hapësira të lirisë, falë së drejtës së lirisë fetare, duke respektuar plotësisht rendin publik. Kjo doktrinë nuk i përket vetëm Kishës katolike; kriteret, që rrjedhin prej saj bazohen mbi drejtësinë e, prej këndej, mund të zbatohen në përgjithësi. Përveç kësaj, parimi juridik i pavarësisë institucionale të bashkësive fetare është i njohur gjerësisht në ato shtete, që respektojnë lirinë fetare si dhe të drejtën ndërkombëtare. Vetë Gjykata evropiane e të drejatve të njeriut e ka formuluar në disa raste të rëndësishme. Edhe institucionet e tjera e kanë pohuar këtë parim. Është rasti i OSBE-së (Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë) ose akoma i Komitetit të të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara përkatësisisht në Dokumentin përfundimtar të 19 janarit të Konferencës së Vjenës, si dhe në Vëzhgimin e përgjithshëm n.22 mbi të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë, të 30 korrikut 1993. Është e nevojshme ta kujtojmë e ta mbrojmë parimin e pavarësisë së Kishës e të pushtetit civil.

Pyetje: - Si paraqitet kjo notë?

Përgjigje: - Liria e Kishës do të respektohet më mirë kur të kuptohet më mirë nga autoritetet civile, pa paragjykime. Do të jetë, prandaj, e nevojshme ta shpjegojmë si konceptohet liria e Kishës. Përfaqësia e përhershme e Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës hartoi një notë shumë të ngjeshur, që shpjegon qëndrimin e Kishës lidhur me katër parimet kryesore: dallimin e Kishës nga bashkësia politike; lirinë në marrëdhëniet me shtetin, lirinë në gjirin e Kishës dhe respektimin e rendit të drejtë publik. Pasi i shpjegon këto parime, në notë citohen edhe fragmente të rëndësishme nga Deklarata mbi lirinë fetare “Dignitatis Humanæ” si dhe nga Kushtetuta baritore e Koncilit II të Vatikanit “Gaudium et spes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.