Fjalimi i Papës Pali VI në 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve,
Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Sot, i gjithë kombi shqiptar përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu,
në 545-vjetorin e vdekjes. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, vdiq
në Lezhë më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Për 25 vjet me radhë e ndaloi Perandorinë
Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët nga sundimi
i huaj. Ai realizoi bashkimin e parë të shqiptarëve në Lidhjen e Lezhës, guri i parë
drejt krijimit të shtetit të pavarur. Kësaj radhe, duam ta kujtojmë me një fjalim
të Papës Pali VI, i cili më 25 prill 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut,
u fliste atdhetarëve të diasporës, mbledhur rreth tij në Vatikan, në një kohë kur
Shqipëria vuante nën thundrën e regjimit komunist. Shembull i gjallë, që tregon se
Selia e Shenjtë nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar shqiptar.
Ja ç’pati thënë Papa Pali VI: “Të dashur bij të Shqipërisë! Ju urojmë
sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin
e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë
kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore. Ju
takojmë me shumë dëshirë: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim,
është ajo tradicionale e fisit(racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur
gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës
apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore. Fatosi
Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim,
së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me
kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në
baltë. Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe
e, edhe në diasporë e në mërgim. E nëse historia ju ka parë të shtypur
e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj
të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni
kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës
të ekumenizmit modern. Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë
shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik
e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet
popujve e gjuhëve të ndryshme. Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut
e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që
e bekojmë me dashuri atërore”.