2013-01-16 17:12:34

Ushtria e kryengritësit akuzojnë njëri-tjetrin për shpërthimet në universitetin e Halebit, në Siri


Një akt terrorist i përbuzshëm: kështu i quajnë Kombet e Bashkuara, dy shpërthimet e djeshme në universitetin e Halebit, në Siri. 82 të rinj, që kishin shkuar për të dhënë provimet, mbetën viktima në sallat e dijes. Asnjëra nga palët ndërluftuese nuk ka guxim të marrë përsipër përgjegjësinë e këtij atentati të shëmtuar. Si ushtria qeveritare, ashtu edhe kryengritësit s’bëjnë tjetër, veçse akuzojnë njëri-tjetrin. Episodi i fundit i një dite të gjatë plot me luftime edhe në Homs e në Damask, ku mbetën të vrarë mëse 200 vetë. Ndërkaq, rritet numri i refugjatëve, të cilët për momentin arrijnë në 600 mijë vetë, por sipas vëzhguesve, do të shkojnë deri në një milion në fund të muajit.
Në planin diplomatik, Zvicra bëhet promovuese e nismës së nënshkruar nga 57 vende, me të cilën i kërkon Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të përdorë Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të hetuar krimet e luftës në Siri. Kjo nismë u promovua nga organizata “Amnesty International” në prill të vitit 2011, por sot kritikohet nga Rusia, pavarësisht se një raport i djeshëm denoncon vrasjen e të miturve, por edhe përdhunimin e grave në Siri. Se çfarë shpresohet nga letra, që i është drejtuar OKB-së, na e shpjegon zëdhënësi i Amnesty International, Rikardo Nouri, në mikrofonin tonë:
(Shpresojmë) të kapërcehet amullia dy vjeçare në Këshillin e Sigurimit. Nuk janë vetëm komitetet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe organizatat jo qeveritare, që kërkojnë të bëhet diçka për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër njerëzimit e për krimet e luftës në Siri. Fakti që 57 vende, anëtare të OKB-së, e kërkojnë këtë, është një sinjal i rëndësishëm. Mund të jetë vendimtar për të filluar, më në fund, hetimin nga ana e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Në grupin e vendeve nënshkruese nuk bëjnë pjesë SHBA-të, Rusia dhe Kina. Si duhet vlerësuar kjo mungesë?
Është sikur të ekzistonte një dhomë, një vend brenda OKB-së, në të cilin të mëdhenjtë mblidhen për të bërë hiç tjetër, përveç asgjësë. Deri më sot, vetëm retorikë pa rezultat. Kemi kaluar nga qëndrimi më i ashpër, që ishte kërcënimi për luftë e ndërhyrje, në “zero”-n e përcaktuar nga vetoja e Rusisë dhe Kinës për çdo përpjekje drejt një rezolute të Këshillit të Sigurimit mbi të drejtat e njeriut. Del sikur ka dy OKB të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.