2013-01-16 17:11:21

Papa në audiencën e përgjithshme: edhe ateistët dëshirojnë ta shikojnë fytyrën e Hyjit.


E reja e madhe, që solli me vete Krishti, është se fytyra e Hyjit, më parë e fshehur, u bë e dukshme për të gjithë, për atë që beson e për atë që nuk beson. E pohoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Papa e përfundoi takimin e përjavshëm me besimtarët duke iu lutur Hyjit për dhuratën e madhe të bashkimit të dishepujve të Krishtit, në qendër të vëmendjes gjatë Javës së lutjes, që i kushtohet e që nis të premten e ardhshme.
Kushdo, madje edhe ai që nuk beson, ndoshta thjesht për kuriozitet, ose në mënyrë fare të pavetëdijshme, do të dëshironte ta shikonte fytyrën e Hyjit. Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin kësaj dëshire, e cila mund të shikohet si nëna e të gjitha dëshirave. Besëlidhja e Vjetër e dokumenton prej shekujsh, që nga koha kur hebrenjtë, kujtoi Papa, nuk mund as ta shikonin fytyrën e Hyjit, e as ta paraqisnin, siç e dëshmon skena e Moisiut përballë kaçubës së kallur flakë, që megjithatë nuk digjej. E atëherë lind pyetja: ç’do të thoshte për izraelitin të kërkosh fytyrën e Hyjit:
“Pyetja është e rëndësishme: nga njëra anë na kujton se Hyji nuk mund të kthehet në objekt, siç është figura që merret në dorë, e as nuk mund të vihet gjë tjetër në vend të Tij; por nga ana tjetër, pohohet se Hyji ka një fytyrë, domethënë është një “Tjetër”, që mund hyjë në lidhje, që nuk është i mbyllur në Qiell për ta parë njerëzimin nga lart. Hyji është, pa asnjë dyshim, përmbi çdo gjë, por kjo nuk do të thotë se është edhe larg nesh: Ai na flet, na dëgjon, na shikon, lidh besë me ne, na do”.
Historia e popullit hebre është histori e zbulimit të ngadalshëm të pranisë së Hyjit. Ndërkaq shikojmë një skenë të tjetër, përshkruar këtë herë në Besëlidhjen e Re, në të cilën, pohoi Benedikti XVI, shikojmë realizimin e dëshirës së mbarë njerëzimit në shekuj. Me Mishërimin ndodh diçka krejt e jashtëzakonshme, e paparë:
“Kërkimi i fytyrës së Hyjit merr një kthesë të papërfytyrueshme, sepse kjo fytyrë tani mund të shikohet: është fytyra e Jezusit, Birit të mishëruar të Atit. Në të përkryhet udha e zbulesës së Hyjit, që nis me thirrjen e Abrahamit. Ai është përmbushja e kësaj zbulese, sepse është Biri i Hyjit, e njëherësh, ndërmjetësues e përmbushës i gjithë Zbulesës. Në të përkojnë plotësisht përmbajtja e Zbulesës e Zbuluesi. Jezusi na tregon fytyrën e Hyjit e na bën ta njohim emrin e Atit”.
E pikërisht ky është edhe ndryshimi me epokën e lashtë: Hyji i tregoi Mosiut vetëm emrin, por jo fytyrën. Prej këndej, nisi dialogu i njeriut me Atin, si me një mik, por me një kufizim: njeriu nuk mund ta shikonte më të gjallë fytyrën e Tij. Mundej vetëm t’i fliste, ta dëgjonte e ta ndiqte. Me Mishërimin, Hyji bëhet i dukshëm e kushdo mund ta kërkojë, përmes Jezusit:
“Ai e përuron në një mënyrë të re praninë e Hyjit në histori, sepse kush shikon Krishtin, shikon Atin, siç i thotë vetë Zoti Filipit. Krishterimi, pohon Shën Bernardi, është feja e Fjalës së Zotit; jo e një fjale të shkruar e memece, por e Fjalës së mishëruar e të gjallë”.
Të krishterët, përfundoi Benedikti XVI, mund ta shohin Hyjin duke ndjekur Krishtin. E kjo do të thotë se mund ta shohin edhe përmes fytyrave, që kanë vulën e tij, njerëzve të varfër, që vuajnë, siç e nënvizoi Papa edhe në Tweet-in, menjëherë pas audiencës:
“Dëshira për ta njohur Hyjin realisht, domethënë për ta parë fytyrën e Hyjit, është e shkruar në zemrën e çdo njeriu, edhe të ateistëve. E ne, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, kemi dëshirë ta njohim, sepse duam ta dimë kush është Ai e ç’përfaqëson për jetën tonë. Kjo dëshirë realizohet duke ndjekur Krishtin. E ka shumë rëndësi ta ndjekim jo vetëm në çastin kur kemi nevojë e kur gjejmë pakëz kohë për Të, ndërmjet shqetësimeve tona të përditshme, por me vetë jetën, me tërë jetën tonë. E gjithë ekzistenca jonë duhet të shkojë drejt takimit me Jezu Krishtin, duhet të shndërrohet në dashuri për Zotin; e në të, një vend kryesor, duhet ta ketë edhe dashuria për të afërmin”.
Në përfundim të katekizmit, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI kujtoi se të premten e ardhshme nis Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, shoqëruar edhe me një ftesë:
“I ftoj të gjithë të luten, duke i lypur me ngulm Hyjit dhuratën e madhe të bashkimit të të gjithë dishepujve të Zotit. Forca e pashterrshme e Shpirtit Shenjt na ndihmoftë për impenjim të sinqertë në kërkim të unitetit, që të mund të shpallim njëzëri se Jezusi është Shëlbuesi i botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.