2013-01-16 17:12:19

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve(18-25 janar)


Të premten, më 18 janar, sipas traditës, nis java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, me temë “Ç'kërkon Zoti nga ne”. Java do të përfundojë më 25 të muajit në vijim. Këshilli Ekumenik i Kishave dhe Këshilli Papnor për bashkimin e të krishterëve ua besoi sivjet të krishterëve të Indisë, përgatitjen e teksteve për edicionin 2013 të Javës. Tema, që zgjodhën të krishterët indianë, ka në qendër të vëmendjes diskriminimin e dalitëve, të njohur si njerëz jashtë kaste, në gjirin e shoqërisë indiane, por edhe brenda bashkësive të krishtera. Përçarja e të krishterëve në Indi, në Kisha e ndërmjet Kishave, lexohet në hyrje të materialit ndihmës, theksohet tepër për shkak të sistemit të kastave. Ky sistem, ashtu si aparteidi, racizmi e nacionalizmi, është fenomen, që krijon pengesa të mëdha për unitetin e Kishës në Indi e, prej këndej, edhe për dëshminë e saj, si korp i vetëm i Krishtit. E me qenë se krijon përçarje edhe brenda Kishës, sistemi i kastave nuk mund të mos jetë edhe problem doktrinor. Duke e parë problemin e unitetit të të krishterëve me këtë sy, sivjet, gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, besimtarët ftohen të rilexojnë me vëmendje tekstet biblike, duke u ndaluar posaçërisht tek Mikea Profet (6,6-8) e duke e përqendruar vëmendjen tek pyetja: “Çka kërkon Zoti nga ne?”. Prej këndej, përvoja e dalitëve bëhet burim edhe për reflektimet teologjike të kësaj teme biblike.







All the contents on this site are copyrighted ©.