2013-01-15 14:44:16

Kisha në Pakistan lëshon kushtrimin: Karaçi s’ka paqe.


Dhuna ia ngul çdo ditë kthetrat në zemër Karaçit, metropol bregdetar i Pakistanit: duhen kërkuar urgjent mjetet e strategjitë për t’i vënë pritë, aq më tepër pse në qytet sillen lirisht talebanët. Njoftimin alarmant e jep Kisha lokale, që lëshon kushtrimin për t’iu kundërvënë këtij fenomeni shkatrrimtar. Jam tepër i trishtuar e jashtëzakonisht i shqetësuar, nënvizon, i pyetur nga agjencia Fides, imzot Jozef Kuts, kryeipeshkëv i Karaçit, sepse çdo ditë në qytet vriten së paku dhjetë vetë. Kam vizituar shumë nga familjet e tronditura thellë nga kjo dhunë fare pa kuptim, shton prelati pakistanez, e jam përpjekur t’i siguroj se kanë gjithnjë mbështetjen dhe bekimin e Kishës, që nuk do t’ua kursejë ndihmën.
Kisha vendase, përmes Komisionit “Drejtësi e paqe”, u dorëzoi 50 mijë rupie (525 dollarë amerikanë) pesë familjeve të krishtera, që humbën këto ditë të dashurit. Kryeipeshkvi i dha mandatin Komisionit t’i ndjekë familjet, t’i ndihmojë e t’u sigurojë vijimin e shkollës për fëmijët më të vegjël. Sipas të dhënave statistikore, botuar kohët e fundit, vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2012, u vranë 1.725 njerëz, viktima të ndeshjes së pakuptimtë, që tashmë njihet si ‘lufta e rrugës”. Karaçi është qytet pa paqe e popullsia jeton nën barrën e padurueshme të dhunës. Jetë në ankth të përditshëm. Në zi të përhershme. Grupet terroriste, shpjegon Noel Alfons, koordinator dioqezan i Komisionit ‘Drejtësi e Paqe’, i bien kryq e tërthor qytetit, krejt të patrazuara. Çdo ditë sjell me vete vrasje të reja e dhunë të re. Qeveria duket krejtësisht e pafuqishme përballë grupeve të fanatikëve e të terroristëve. Ndeshjet ndërmjet partive politike dhe krahët e tyre terroristë, shton, losin rolin kryesor në luftën e gjakun, që vijon të derdhet në Karaçi. Veç kësaj, fraksionet e talebanënve kanë nisur të veprojnë gjallërisht në qytet. Kohët e fundit akte të padurueshme dhune u regjistruan në Essa Nagri, lagje ku jetojnë më se 50 mijë të krishterë. Në këtë lagje vetëm gjatë muajit shtator 2012 u vranë me armë zjarri pesë të rinj. Kriminelët nuk janë identifikuar akoma. Të rinj të tjerë detyrohen të mbyllen në shtëpitë e tyre, të paralizuar nga një situatë e tillë, që duket pa rrugëdalje. Karaçi nuk ka qetësi, as paqe e as vullnet për të dalë nga një situatë gjakatare, që i mbyll rrugën çdo shprese për të ardhmen.
Prej këndej, thirrja e Kishës katolike për të marrë masa urgjente.









All the contents on this site are copyrighted ©.