2013-01-15 14:26:31

Imzot Solmi: manifestimi i Parisit me rëndësi, edhe pse me pjesëmarrje të larmishme


Manifestimi i madh i së dielës në Francë, në mbrojtje të martesës ndërmjet një burri me një grua, bashkoi edhe një herë, nën të njëjtin flamur, njerëz me besojma nga më të ndryshmet. Sipas organizatorëve, ishin të pranishëm më se 800 mijë vetë. Manifestim për të gjithë, kështu u quajt. Duke shmangur çdo lloj homofobie, apo frike e kundërshtimi të paarsyeshëm kundër homoseksualitetit e personave gei, lesbikë, biseksualë e transeksualë, turma doli në sheshin e burrave, që ta bindë presidentin Hollande për të mos i vënë nën mbrojtjen e ligjit martesat ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks, të quajtura “martesa për të gjithë” e edhe me të drejtën e bijësimit. Teksti i projekt-ligjit do të shqyrtohet nga fundi i muajit në parlament. E ky manifestim, i pari masiv në një vend perëndimor, bëri të qartë se popullsia e vendit nuk është njëmendjeje për një projekt të përcaktuar e të depozituar në parlament. Opinionet janë të ndryshme, por tregojnë qartë se një pjesë e mirë e popullsisë nuk e ka ndër mend të dorëzohet në këtë pikë. E nuk ishte manifestim konfesional, ky, sepse në të morën pjesë një sërë subjektesh laike: katolikë, protestantë, hebrenj e disa kategori të tjera. Madje edhe kryetarë bashkie, që iu kundëvunë haptasi projekt-ligjit. Kjo, nga njëra anë, e bën problemin më të mprehtë, ndërsa nga ana tjetër, më interesant, sepse tregon qartë qëndrimin e grupeve të ndryshme të shoqërisë, lidhur me këtë temë.
Pyetëm imzot Enriko Solmi-n, ipeshkëv i Parmës e kryetar i Komisionit të Konferencës ipeshkvnore italiane për familjen dhe jetën:

Përgjigje: - Besoj se ky ishte manifestim popullor, i organizuar jo vetëm nga katolikët; e kjo, sepse martesa është fakt, që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet burrit e gruas e njëkohësisht, fakt me vlerë të madhe për të gjithë. Për me tepër, shpërfytyrimi dhe zvetënimi i martesës, i marrëdhënieve burrë-grua, përbën një problem të mprehtë për shoqërinë e sidomos, për vetë ardhmërinë e njerëzimit. Manifestim me vlerë, prandaj, që protestoi me përgjegjësi të madhe shoqërore e edhe me dashuri të madhe për shoqërinë, kundër formave të martesës, të cilat pretendon t’i mbrojë projekt-ligji. E kjo sepse jemi përballë një tërësie situatash, që i kundërvihen vlerës së identitetit njerëzor.

Pyetje: - Projekt ligji, që me sa duket Elizeo e ka ndër mend të vijojë ta mbrojë, rivë në diskutim shumë nene të Kodit civil francez e madje kërkon t’i ndërrojë edhe disa terma, si ‘baba’ e ‘nënë’, ‘burrë’ e ‘grua’, me terma më asnjanëse, si ‘prindër’ e ‘bashkëshortë’. Ky është një aspekt i rëndësishëm…

Përgjigje: - Natyrisht, jemi para bashkimit të disa situatave kundër vlerës së identitetit të njeriut, krijuar seksualisht si burrë e si grua, si atë e si nënë, pa folur këtu, për dhurimin e anasjelltë. Duke hequr termin baba, do të bjerë vlera e atësisë, e me heqjen e termit nënë, vihet në diskutim lidhja reciproke, dhurim, që krijon jetë.

Pyetje: - Së fundi, cili është opinioni juaj lidhur me mundësinë për njohjen ligjore të çifteve homoseksuale, shoqëruar edhe me tipe të tjera të drejtash individuale suplementare, të drejta, që kanë të bëjnë, për shembull, me trashëgiminë?

Përgjigje: - Besoj se duhet punuar për të drejtat e njeriut, si i tillë, që mund të zgjedhë lirisht mundësinë për t’u asistuar, në rast sëmundjeje, ose për t’ia lënë pasuritë njeriut, të cilin e zgjedh vetë, përtej formave të ndryshme të bashkimit martesor. Pa harruar se ka të drejta, po ka edhe detyra; detyra ndaj familjes e detyra ndaj të tretëve. Temë delikate, kjo, edhe në këndvështrimin shoqëror. Prej këndej, duhet reflektuar thellë. Nuk ka nevojë për sensazione e as për t’i treguar këto situata me terma të bujshme.

Gjithsesi nga kjo situatë nuk mund të mos lindë pyetja e natyrshme: ç’fytyrë do të ketë shoqëria, në të cilën fëmija duhet të harrojë dy fjalët e para, që nis të shqiptojë, më të dashurat: “nënë” e “baba”? Si do t’i quajë prindërit e një seksi, babai n.1 e n.2, apo njërin nga baballarët do ta quajë nënë, e njërën nga nënat, baba?
E, a duhet ta shqetësojë edhe shoqërinë shqiptare një fenomen i tillë? Apo jo, sepse vijon të jetë i huaj për moralin tradicional? Pa harruar manifestimin masiv në Paris, që na kujton se Evropa e ëndëruar, të cilën për fat të keq kemi prirjen ta imitojmë edhe atje, ku nuk duhet, na jep një mësim shumë të çmuar.
E kjo, sepse fenomeni nuk është më i huaj as ndërmjet shqiptarëve. Duke shfletuar mediat e Tiranës (Ama-News 16 gusht 2012), lexojmë se në konviktet e Qytetit të Studentit, në Tiranë, pas hapjes së bujtinës së re për çiftet e të dashuruarve apo të të fejuarve (jashtë traditës tradicionale edhe kjo), u bë pyetja: “Po çiftet e së njëjtës gjini, a do të lejohen?”. Deri më sot kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje, sepse në Shqipëri homoseksualiteti vijon të shikohet si anormal (Veriu sot, 19 mars 2012). Ndonëse nuk mungojnë zërat që, gjithnjë sipas modelit të Perëndimit të ëndërruar, ankohen se disa vende nuk i kanë pranuar ende çiftet gei. Pa harruar se ky çiftëzim i çuditshëm, e krejt i panatyrshëm, ashtu si dardha, e ka bishtin mbrapa; duke njohur çiftet gei si familje, shteti është i detyruar t’u njohë edhe pensionet familjare. Besojmë se hë për hë edhe ky tip pensioni nuk krijon asnjë problem për një shtet, si ai shqiptar, i cili u paguan shtetasve të vet të moshuar, pensione qesharake. Ndonëse nuk kërkojnë ‘martesën për të gjithë’, por vetëm sigurimin e kafshatës së bukës, pasi kanë shkrirë gjithë jetën në punë. Vjen pastaj edhe problemi tjetër: çifti gei nuk mund të krijojë jetë të re. Nuk mund të ketë fëmijë. Përkrahësit e martesave për të gjithë mendojnë se kjo mund të zgjidhet fare lehtë: duke i bijësuar fëmijët, që nuk mund t’i krijojnë natyrshëm. Po kush do t’i ‘prodhojë’ këta fëmijë të askujt? Lojë tepër e rrezikshme për vetë ardhmërinë e njerëzimit që, pa asnjë dyshim, do të shkonte jo më vetëm drejt plakjes, por, sidomos, drejt shuarjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.