2013-01-14 15:19:12

Shoqëria e sotme e shikon Zotin si kufizim e jo si dashuri, kujtoi Papa, gjatë pagëzimit të 20 fëmijëve.


Në një shoqëri, që e shikon si të vjetëruar besimin në Jezusin, feja t’i hap krahët për të përqafuar Hyjin: kështu u shpreh Papa në Meshën e djeshme, para se të pagëzonte 20 foshnje në Kapelën Sikstine, në Vatikan. Më pas, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujtoi Ditën e Emigrantit e të Refugjatit, duke e konsideruar emigracionin si shtegtim feje e shprese.
Hyji shikohet sot si kufi i lirisë sonë, si cak, i cili duhet zhdukur, që njeriu, më në fund, të jetë plotësisht vetvetja. Papa foli kështu për shoqërinë aktuale në të cilën, theksoi, nuk është aspak e lehtë ta shpallësh hapur e pa asnjë kompromis, Besojmën tënde:
“Një shoqëri, që i shikon si njerëz jashtë mode e jashtë kohe, ata që e jetojnë besimin në Jezusin”.
Të rrëmbyer nga vala e kësaj mendësie, vërejti Papa, edhe të krishterët mund të rrezikohen ta shikojnë lidhjen me Jezusin si kufizuese, si diçka që e pengon realizimin e plotë personal. Përballë gjithë këtyre rreziqeve, Benedikti XVI shpjegoi se lidhja me Zotin do të thotë liri për të dalë nga vetvetja e për të dashur:
Ky vizion tregon se lidhja me Zotin nuk është kuptuar fare, sepse në rrugën e fesë ecet dora-dorës e kështu edhe kuptohet sesi Jezusi ushtron mbi ne veprimin çlirues të dashurisë së Zotit, që na bën të dalim nga egoizmi ynë, nga vetëdashja, vetëvlerësimi, për të na prirë drejt një jete të plotë, në bashkim me Zotin e me zemër të hapur për të tjerët”.
Dhe pikërisht rrëfimi ungjillor i Pagëzimit të Jezusit na tregon udhën e uljes së vetvetes, të përvujtërisë, që Biri i Zotit e zgjodhi lirisht, për të hyrë në planin e Atit, për t’iu bindur me fund vullnetit të Tij të dashurisë për njeriun, deri në flijimin mbi kryq.
Në Pagëzim, nënvizoi Papa, dëftohet prania e gjallë dhe vepruese e Shpirtit Shenjt. E më pas kujtoi edhe atë që, për sytë tanë, mund të duket paradoksale. Jezusi, pa mëkat, u vu në radhë me mëkatarët, për t’u pagëzuar, për të kryer një gjest pendese:
Jezusi u radhit nga ana e mëkatarëve, duke u bërë solidar me ta, për t’u shprehur afërsinë e Hyjit. Jezusi është solidar me ne, me plogështinë tonë për t’u kthyer në rrugën e Tij, për t’i lënë pas egoizmat tona, për t’u shkëputur nga mëkatet tona. Na kujton, kështu, se po ta pranojmë në jetën tonë, Ai është në gjendje të na ngrejë përsëri në këmbë e të na prijë drejt lartësive të Hyjit Atë”.
Kjo, pohoi Papa, është vepra e Hyjit, që Jezusi deshi ta kryejë: misioni hyjnor për të mjekuar njeriun e plagosur, për ta shëruar të sëmurin, për të marrë mbi vete mëkatin e botës. E Benedikti XVI kujtoi, më tej, se në Pagëzim fëmijët lidhen thellësisht e përjetësisht me Jezusin:
“… të zhytur në misterin e vdekjes së Tij, që është burim jete, për të marrë pjesë në Ngjalljen e Tij, për të rilindur në një jetë të re. Ja, kjo është mrekullia, e cila përsëritet sot edhe për fëmijët tuaj: duke marrë Pagëzimin, ata rilindin si bij të Hyjit, bëhen pjesëtarë të lidhjes bijnore të Jezusit me Atin, të aftë për t’iu drejtuar Hyjit, plot familjaritet e besim, me fjalët: ‘Abbá, Atë”.
Të lidhur, kështu, me Hyjin e të çliruar nga mëkati i rrjedhshëm, nënvizoi Papa, ata bëhen gjymtyrë të gjalla të një korpi të vetëm, që është Kisha, e janë plotësisht në gjendje ta jetojnë thirrjen e tyre për të ecur në rrugën e shenjtërisë, duke trashëguar jetën e pasosur, që e fituan falë ngjalljes së Krishtit. Për dhuratën e fesë, Papa kujtoi:
“Është gëzim të jesh bir i Hyjit, të zbulosh se je në dorë të Tij, ta ndjesh se të pret një përqafim dashurie, si përqafimi plot dashuri i nënës, që rrok foshnjën në gji”.
Udha e fesë, e nisur sot për këta fëmijë, shtoi Papa, bazohet mbi sigurinë e mbi përvojën, që na kujton se nuk ka gjë më të rëndësishme sesa ta njohësh Krishtin e të lidhësh miqësi me Të; vetëm përmes kësaj miqësie çlirohen vërtetë të gjitha mundësitë e mëdha e njeriu mund ta kuptojë plotësisht ç’është e bukur e ç’është e lirë. Njeriun, që e ka provuar këtë, kujtoi Papa, s’ka gjë në botë që ta bëjë të heqë dorë nga feja e vet
Nunave e nunëve Ati i Shenjtë u kujtoi detyrën e rëndësishme për t’i ndihmuar prindërit në edukimin e fëmijëve, në transmetimin e fesë e të dëshmisë së vlerave të Ungjillit, por jo më pak, edhe fëmijët, që të lidhin miqësi gjithnjë më të ngushtë me Zotin. Uji, me të cilin u shënuan në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt, siguroi Papa, do t’i zhysë në atë burim jete, që është vetë Hyji e që i bën bij të vërtetë.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi se Jezusi është njeri i ri, që dëshiron të jetojë si Bir i Hyjit, domethënë, në dashuri; njeri që, përballë së keqes së botës, zgjedh rrugën e përvujtërisë e të përgjegjësisë. E këtë nuk e bën për të shpëtuar vetveten. Përkundrazi, kjo është rruga, që e çon në fljimin e jetës për të vërtetën dhe drejtësinë. Të jesh i krishterë, tha Papa, do të thotë të jetosh kështu, por ky tip jete, shtoi, përfundon me një rilindje: rilindje nga lart, nga Hyji, nga Hiri. Pastaj mendimi për pagëzimet e ditës, e jo vetëm:
Pata gëzimin të pagëzoj një grup të madh fëmijësh, që lindën tre a katër muaj më parë. Në këtë çast dëshiroj të lutem e t’u jap bekimin tim të gjithë të posalindurve; por sidomos, dua t’i ftoj të gjithë ta kujtojnë Pagëzimin e tyre, këtë rilindje shpirtërore, që na hapi udhën e jetës së pasosur”.
E më pas, Benedikti XVI kujtoi edhe Vitin e Fesë:
“Uroj që çdo i krishterë, në këtë Vit të Fesë, të rizbulojë sa gjë e bukur është të rilindësh nga lart, nga dashuria e Zotit, e të jetosh si bir i vërtetë”.
Pas lutjes mariane, Ati i Shenjtë kujtoi Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, duke i quajtur emigrimet “shtegtim feje e shprese”:
“Kush lë trojet veta, e bën këtë sepse shpreson në një ardhmëri më të mirë, por edhe sepse ia beson vetveten Zotit, që u prin hapave të njeriut, si Abrahamit. E kështu emigrantët bëhen mbartës të fesë e të shpresës në botë. I përshëndes të gjithë, duke e shoqëruar përshëndetjen time me lutje e bekim të posaçëm”.E posaçërisht Papa përshëndeti edhe bashkësitë katolike të emigrantëve të pranishëm në Romë, ndërmjet të cilave, e kujtojmë, është edhe një bashkësi katolikësh shqiptarë, që tashmë ka edhe Kishën e vet, atë të Shën Gjonit të Malvës, ku mblidhet për të kremtuar Ditën e Zotit, të dielën, e festat e mëdha. E, pak ditë më parë kremtoi këtu edhe Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes, në gjuhën shqipe.







All the contents on this site are copyrighted ©.