2013-01-14 16:27:25

Ipeshkvijtë e Abrucit dhe të Molises për vizitë tek Papa. Imzot Bregantini: mbështetje, jo kundërvënie, për të kapërcyer krizën.


Vijon vizita “ad Limina apostolorum” e ipeshkvijve italianë në Vatikan. Pas prelatëve të dioqezës së Romës, sot paradite Benedikti XVI nisi takimet me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore të Abrucit e të Molises. Ndërmjet tyre ishte edhe imzot Xhankarlo Maria Bregantini, që i paraqiti Papës dritë-hijet e rajonit, ky kryen misionin. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Dritat e një populli të butë, të mirë, të kujdesshëm, me tradita të lashta, me kisha shumë të bukura, që vijon ta dëgjojë me vëmendje të madhe zërin e Kishës e të mbetet thellësisht i ndershëm. Por, nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe hijet: posaçërisht në sektorin agroindustrial. Stallat mbahen të hapura me shumë vështirësi. Të rinjtë shkojnë të kërkojnë punë gjetiu, sepse këtu nuk ka punë. Detyrohen, artëhere, të nisen në Gjermani e deri në Australi. Rifillon emigrimi i viteve ’50-’60. E kjo vë shumë pikëpyetje mbi ardhmërinë e zonës. Kuptohet se ndryshimin e vlerave materiale, e pason edhe ndryshimi i vlerave morale, gjë që vërehet posaçërisht në gjirin e familjes, dikur shumë e shëndoshë, sot përballë tundimeve të rënda. Përvojë tjetër është ajo e sociopolitikës, që akoma nuk është në gjendje t’i rrahë flatrat drejt lartësive, sepse ka ende shumë interesa për të mbrojtur, e shumë, tepër shumë, kundërvënie.

Pyetje: - Reflektimet tuaja në prag të zgjedhjeve si rajonale, ashtu edhe politike…
Përgjigje: - Natyrisht ne nuk mund të japim udhëzime me karakter politik. Nuk është detyra jonë: të krishterët kanë të drejtë të zgjedhin lirisht, si laikë të pagëzuar. Ja pse ne nuk kemi treguar me gisht asnjë forcë politike, por kemi këshilluar përdorimin e një metode, sipas mendimit të Tonilio-s, të ‘një shtëpie sociale’- sepse kështu e përfytyruam, e kështu e quan edhe ai, me kate e nivele të ndryshme. Propozuam prandaj, të vihet në plan të parë, si e dhënë themelore, përshpirtëria, që motivon; në plan të dytë, etika, që kontrollon; në plan të tretë, kultura, që planifikon; në të katërtin, politika, që realizon; e, në të pestin, vetëm në të pestin, ekonomia që ndërton. Me këtë paraqitje, që e gjejmë në ‘Caritas in Veritatem’ e në Doktrinën shoqërore të Kishës, ne japim edhe këshilla, që projektet e posaçme, ose më mirë të themi, programet e partive, të enden me dritë, me pozitivitet, me guxim, me qëllime të larta. Janë këshilla, që lidhen më shumë me metodën e edhe me përmbajtjen. Pastaj u takon partive të veçanta aftësia për të bërë programe të hollësishme. Gjëja, që na intereson më shumë, është metoda, jo kundërvënia, as përjashtimi; mbështetja e aftësia, përballë problemeve të një territori kaq të vogël, për të mos u lodhur, e as për të mos u copëtuar, por për të bashkëvepruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.