2013-01-14 13:23:46

Imzot Shakur: rrezikohet prania e të krishterëve në Tokën e Shenjtë


Ipeshkvijtë evropianë dhe veriamerikanë, në misionin e tyre në Tokën e Shenjtë prekën me dorë vështirësitë e bashkësive të krishtera lokale. Për këto vështirësi, folëm me kryeipeshkvin greko-melkit, imzot Elias Shakur, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Kriza vijon, që kur jemi bërë pakicë, domethënë me krijimin e shtetit të Izraelit. E si pakicë, kemi probleme, që kërcënojnë vetë ekzistencën e palestinezëve të krishterë si dhe praninë e tyre në Tokën e Shenjtë.

Pyetje: - Mund të na kujtoni disa prej problemeve?..

Përgjigje: - Natyrisht. Po ju jap një shembull shumë të thjeshtë. Kemi shkollat tona të krishtera në Izrael. Ministria e Arsimit jep ndihma për fëmijët e të gjitha shkollave, me përjashtim të atyre, që ndjekin shkollat e krishtera. Ne jo vetëm që na japin më pak se gjysmën e ndihmave, por vijojnë t’i pakësojnë edhe më shumë. Rrezikohemi t’i mbyllim fare shkollat tona. E këto shkolla nuk janë thjesht ‘mësonjëtore’: janë vende, ku të krishterët, myslimanët, drusët e fëmijët e konfesioneve të tjera, mësojnë të jetojnë së bashku. Mendimi se kjo mund të bëhet e pamundur, na pikëllon pa masë.

Pyetje: - Për të krishterët e botës mbarë, Toka e Shenjtë vijon të mbetet vend tepër i rëndësishëm…

Përgjigje: - Viset e Shenjta janë jashtëzakonisht të rëndësishme e u jam mirënjohës gjithë të krishterëve, që kujdesen për to. Por ka ardhur koha të pyesim ç’kuptim do të kishin Viset e Shenjta, pa të krishterë; ç’rëndësi kanë gurët e shenjtë të kësaj toke, në se nuk janë më gurë të gjallë? U bëj thirrje të krishterëve të shtegtojnë në këto vise. Ejani, pra, por mbasi të keni parë reliket, gurët, lashtësinë, takojuni edhe me bashkësitë e krishtera lokale. Do të jenë të lum t’ju presin, të ndajnë me ju bukën e kripën e zemrën. Nuk do t’ju kërkojnë para, por vetëm miqësi, solidaritet. Mendoj se i meritojnë.

Për marrëdhëniet ekumenike në Tokën e Shenjtë të dëgjojmë imzot Uiljam Shomalin, ipeshkëv-ndihmës i Patriarkanës latine të Jeruzalemit, në mikrofonin tonë:

Pyetje: - Ju jeni ndihmës i ipeshkvit të Jeruzalemit: a mund të na thoni diçka për situatën ekumenike në vend?

Përgjigje: - Bëjmë përpjekje serioze me vëllezërit tanë ortodoksë, por edhe me anglikanët e luteranët, për të jetuar së bashku, për t’u mbledhur, për të diskutuar së bashku problemet, që kanë të bëjnë me Kishat tona. E bëjmë këtë çdo dy muaj, në Patriarkanën ortodokse. Këtu mblidhen ipeshkvijtë dhe patrikët e diskutojnë. I nisim takimet tona me lutje. Kjo nuk ndodhte më parë, por tani kemi ngulmuar, sepse kur takohen ipeshkvijtë, duhet të bëhet diçka që bashkon; e s’ka gjë që të bashkon më shumë se lutja.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për mundësinë e kremtimit të Pashkëve në të njëjtën ditë?

Përgjigje: - Kemi unifikuar kalendarin e famullive tona në Izrael, Jordani, Qipro e edhe në pjesën më të madhe të famullive palestineze. Ky është një hap para, edhe pse nuk na kënaq plotësisht, sepse bashkësi të ndryshme të krishtera të Jeruzalemit e të Betlehemit nuk e kanë pranuar këtë vendim: po e përsëris, është hap para, që e bëmë për të plotësuar nevojat e njerëzve. Janë njerëzit, që bëjnë presion mbi klerin për t’i unifikuar Pashkët. Në këtë mënyrë kemi unifikuar, së paku pjesërisht, Kohën e Kreshmëve e dhe Kohën e Pashkëve: është fjala për njëqind ditë, që i kremtojmë së bashku.

Pyetje: - … por jo në Jeruzalem e në Betlehem...

Përgjigje: - Me përjashtim të Jeruzalemit të Betlehemit, për shkak të statusit të këtyre Viseve të Shenjta, por edhe për fluksin e shtegtarëve, që vijnë të kremtojnë Pashkët tek ne. Përpiqemi të plotësojmë edhe kërkesat e shtegtarëve.

Pyetje: - Ç’marrëdhënie keni me myslimanët e me hebrenjtë?

Përgjigje: - Me përjashtim të një pakice fanatikësh, mund të themi se myslimanët na respektojnë shumë. Ashtu edhe hebrenjtë, e edhe në nivel të qeverive të ndryshme, të krishterët e praktikojnë krejt lirisht fenë e tyre. E ndjejmë këtë respekt si nga ana e liderëve palestinezë, ashtu edhe atyre izraelitë: të krishterët janë të mirëpritur, janë qytetarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që i respektojnë ligjet civile. Ne nuk kemi probleme si të krishterë, në nivel të disa qeverive - por kemi nevojë edhe për lirinë e ndërgjegjes, të konvertimit, një e drejtë, që të krishterëve në vendet e arabe nuk u njihet akoma.







All the contents on this site are copyrighted ©.