2013-01-13 19:18:38

Solemniteti i Pagëzimit të Krishtit Zot, thirrje për shenjtëri


Solemniteti i Pagëzimit të Krishtit Zot, është thirrje për çdo të pagëzuar të ecën në rrugën e shenjtërisë. Në festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot, Kisha na nxit të jetojnë me thjeshtësi, sinqeritet, dashuri e harmoni vëllazërore, duke pasur si model jete Familjen e Shenjtë të Nazaretit. E kështu na fton të rizbulojmë edhe domethënien e bukurinë e Pagëzimit tonë, në të cilin jemi bërë bijë të dashur të Hyjit Atë e të Shenjtënueshmes Trini.
Duke përshkuar e kujtuar fjalët e Shën Lukës ungjilltar, Kisha nënvizoi se Jezusi foli me Atin qiellor pasi pati marrë Pagëzimin në lumin Jordan. E nuk u lut vetëm për vete, por për të gjithë ne. E atëherë qielli u hap! Nga kjo ngjarje kuptojmë se sa më shumë të jetojmë në bashkim me Jezusin në realitetin e pagëzimit tonë, aq më shumë do të hapet mbi ne qielli, sepse me Pagëzim bëhemi bij të familjes së Zotit.
Në këtë festë, Kisha ripohoi se të krishterët janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, e cila u përket gjithë të pagëzuarve. Në vërtet Bashkësia apostolike e vlerësonte Pagëzimin e Krishtit si ngjarje tepër të rëndësishme jo vetëm sepse qe dëftim i qartë dhe i plotë i misterit trinitar, pra i Trinisë Shenjte Hyjnore, por edhe pse me të nisi misioni publik i Jezusit nëpër udhët e Palestinës e të botës. Pagëzimi i Jezusit në Jordan paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi Jezus realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu sot Kisha, e vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë.
Përmes Këtij sakramenti ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të, vishemi me Të, siç pohon disa herë Shën Pali Apostull. Nga pagëzimi buron impenjimi për ta dëgjuar Jezusin, do të thotë për të besuar në Të e për ta ndjekur pas pa fjalë, duke bërë vullnetin e Tij.
Në këtë mënyrë secili mund të synojë shenjtërinë, cak drejt të cilit – siç porosit Koncili II i Vatikanit, janë të thirrur të ecin gjithë të krishterët.
Sot pra, Kisha kremton festën e Pagëzimit të Zotit. Kanë kaluar mase 2000 vjet që kur edhe Krishti vetë, ndonëse i pamëkat, deshi t’u afrohej brigjeve të Jordanit për të marrë pagëzimin e për t’u solidarizuar kështu me pendestarët në kërkim të shpëtimit të shpirtit. Me praninë e tij, Jezusi e shenjtëroi këtë rit. Kështu pagëzimi nuk do të ishte më thjeshtë pastrim, sepse përmes tij shpirti i Zotit e vendos banesën e vet në atë që e merr sakramentin. Ky gjest i Jezusit është pajtim hyjnor me gjininë njerëzore, pas mëkatit të rrjedhshëm. Edhe ne pra, me Pagëzim jemi të pajtuar me Hyjin Atin përmes Jezu Krishtin e të shenjtuar në Shpirtin Shenjt. Që nga Pagëzimi, ne jetojmë përmasën e re të jetës me Zotin, duke gëzuar e shijuar çdo ditë hiret e bekimet Hyjnore, e këtë edhe duhet ta dëshmojmë para botës: dashurinë që Zoti ka për ne.







All the contents on this site are copyrighted ©.