E diel 13 janar Kisha kremton festen e Pagëzimit të Jezu Krishtit. Pagëzimi
i Krishtit është dëftim i misionit të tij në botë. Ati Qiellor e shpall dashurinë
e tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në
ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe
ne në jetën e amshuar hyjnore. E prandaj Ungjilli i së diele na thotë: Mbretëria
Qiellore është afër, kthehuni e besoni në Fjalën e Zotit. Kështu reflekton liturgjia
e së dielës. E gjithnjë me 13 janar kalendari përkujton edhe shën Hilarin,
ipeshkëv i Puatjesë, i mbiquajtur “Athanasi i Perëndimit”, që në vitin 353 u bë mbrojtës
i flakët i Koncilit të Nikesë që luftoi herezinë ariane. Vepra e tij më madhe
mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”. Ja o Zot, po vij të bëj vullnetin
tënd. Të hënë më 14 janar, kalendari do të përkujtojë shën Feliçin e Nolës,
ipeshkëv, martir e shën Malakinë, profet. Varri i shën Feliçit nga Nola njihet
nga tradita e krishterë si “Ara veritatis” – “Altari i së vërtetës” sepse edhe pas
vdekjes bënte mrekulli duke nxjerrë në shesh të vërtetën dhe duke luftuar gënjeshtrat
e shpifjet. Të martën më 15 janar kalendari kishtar përkujton edhe shën
Palin, oshënarin e parë, shën Gjonin Kalibit, murg e shën Maurin, abat, shën Sekondinës
e shën Probos. Liturgjia e ditës na kujton se kemi një Meshtar të madh pranë Atit
Qiellor: Krishtin. Të mërkurën më 16 janari sipas kalendarit bie përkujtimi
i shën Marçelit I, shën Ticianit, shën Tamarit dhe të Lumit Jozef A. Tovini. Liturgjia
e ditës na tregon historinë e Xakeut, përmes së cilës Jezusi na mëson se çdo me hirin
Hyjnor çdo mund të gjejë udhën e vërtetë të jetës, duke braktisur rrugën e gabuar
për t’u kthyer në udhën e Zotit. Të enjten më 17 janar, kalendari përkujton
shën Andout, Abat e oshënar. Shën Antoni ishte pranë të gjithë njerëzve që atij i
drejtoheshin, çdo personi i jepte këshilla për t’u përsosur shpirtërisht, e për të
qenë përherë i bashkuar me Zotin. Ai ngushëllonte të mjerët, shëronte të sëmurët,
mësonte vëllezërit në fushën shpirtërore. Të premten më 18 janar, kalendari
Kishtar përkujton shën Priskës, themeluese e kishës romake me të njëjtin emër në Aventin
të Romës. Kjo ditë është edhe dita për thellimin e dialogut fetar hebraiko-kristian,
ndërsa fillon Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të vijojë deri më
25 janarin e ardhshëm. Kisha na fton të gjithëve të lutemi e të punojmë për këtë qëllim. Të
shtunën me 19 janar, kalendari përkujton shën Gjermanikun, martir i Filadelfies,
Shën Gjonin ipeshkëv të Ravenës, Shenjtorët Mario, Marta, Audifaci e Abaku martirë. Ungjilli
na tregon se si Jezusi përshkoi të gjithë Galilenë për t’u mësuar njerëzve punët e
Hyjit e për të dikuar mrekullitë e Zotit në secilin prej atyre që e dëgjonin. Të
dielën e ardhshme me 20 janar, Kisha do të kremtojë të dielën e Dytë gjatë vitit kishtar,
e gjithnjë më 20 janar kalendari Kishtar përkujton edhe shën Fabianin, papë e martir
e shën Sebastianin, martir. Liturgjia e së dielës na flet për fillimin e shenjave
të bëra nga Jezusi, duke u nisur nga dasma e Kanës së Galilesë me shenjën e parë,
atë të shndërrimit të ujit në verë. Kjo shenjë e parë bërë nga Krishti, vera, shpreh
dashurinë besnike të Hyjit për njeriun, ndërsa uji, tregon njerëzimin që kërkon shndërrimin
e shpëtimin. Këtë të diele kremtohet Dita e lutjes për bashkimin e të krishterëve.