Dita e Emigracionit. Imzot Perego: të luftojmë kundër çdo forme dhune dhe intolerance
“Emigracioni: shtegtim feje e shprese”. Kjo është tema, që Papa Benedikti XVI ka zgjedhur
për mesazhin e Ditës së 99-të Botërore të Emigracionit 2013, e cila kremtohet sot.
Kujtojmë se mesazhi i Atit të Shenjtë është publikuar më 29 tetor 2012. Argumenti
shkakton akoma debate plot pasion në të gjithë botën. Nga njëra anë, emigrantët, që
me të drejtë, duan të jetojnë aty ku gjejnë kushte më të mira, nga ana tjetër, shtetet
mikpritëse, që në vështirësi për të zgjidhur problemet edhe për popullsinë e tyre,
vendosin rregulla e norma për t’ia prerë rrugën, ose për ta kufizuar këtë fenomen.
215 milion emigrantë në botë, 42 milion e 500 mijë njerëz të detyruar të ikin
nga vendi i tyre, vetëm gjatë vitit 2011. Prej tyre, 15 milion refugjatë e 26 milion
të shpërngulur brenda vendit. Ç’do të thotë shtegtim feje e shprese në këtë situatë?
A e ndihmon kjo emigrantin? Të dëgjojmë drejtorin e përgjithshëm të Fondacionit “Migrantes”
të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Xhankarlo Perego: Sigurisht, ai
që vihet për rrugë ka shpresë ta përmirësojë jetën. 215 milion emigrantët në botë
janë nisur pikërisht, sepse dëshirojnë të kërkojnë kushte më të mira jetese për vete
e për familjet e tyre. Por, njëkohësisht, gjatë udhëtimit, gjendja e tyre ndryshon
sipas njerëzve, që takojnë. Papa kujton se si shpesh, në këtë udhë shprese, takohen
dëshpërimi, vdekja e dhuna. Le të mendojmë, për shembull, për 2 mijë të vdekurit në
Detin Mesdhe, vetëm vitin e kaluar. Prandaj, tema e shpresës duhet lidhur ngushtë
me temën e fesë, e cila bëhet edhe promovim i të drejtave të njeriut, ndihmon në luftën
kundër dhunës e intolerancës në botën e emigracionit. Sipas jush, në shoqëritë
perëndimore, a i kushtohet vëmendja e duhur temës së emigracionit? Fatkeqësisht,
shpesh, tema e emigracionit trajtohet ose në këndvështrimin ideologjik, ose në atë
të emergjencës; ndërsa, në një vend si Italia, ku tashmë 1 ndër 10 persona është i
huaj, mendoj se duhet ndryshuar fytyra e qyteteve tona, e kishave e, kjo është me
rëndësi për të interpretuar ndryshimet e për t’i kthyer në pasuri strukturore për
vendin. Për shembull, që nga viti 2009, në Milano, janë më të shumtë fëmijët e lindur
nga prindër të huaj, se sa nga prindër italianë. Kjo sjell ndryshime në planin demografik,
në atë të punës, por edhe në planin kulturor e shoqëror. Emigracioni, na kujton Papa,
është vlerë shtesë për shoqërinë. Sivjet është Viti Evropian i qytetarisë.
Me problemin e nënshtetësisë, kjo është një temë interesante për emigrantët. Cilat
janë propozimet e Kishës në Itali? Propozojmë ndryshimin e ligjit për nënshtetësinë,
në mënyrë që koha e pritjes për dokumentet të zvogëlohet nga 10 në 5 vjet, por sidomos
të zbatohet “Ius soli” për 650 mijë fëmijët e lindur në Itali. Atyre nuk u jepet nënshtetësia
derisa të mbushin 18 vjeç, por janë fëmijë, që rriten në shkollat, në familjet, në
qytetet tona, prandaj duhen njohur si italianë të rinj.