2013-01-11 14:31:37

Vjedhje në Kishën e Shën Premtes në Valas të Elbasanit


Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Aldo Bumçi, e konsideroi të turpshme vjedhjen e kryer disa ditë më parë në Kishën e Shën Premtes, në Valas të Elbasanit, ku ekspozohej afresku origjinal i Onufrit.
Gjatë një konference për shtyp, sot, duke dënuar aktin si të paprecedent, ministri shqiptar Aldo Bumçi vlerësoi çdo kritikë dhe u shpreh i gatshëm të dëgjojë çdo sugjerim, që do i vinte në ndihmë parandalimit të veprave të tilla, ndërsa dënoi protestën e zhvilluar mëngjesin e sotëm nga një forum, apo "pseudoforum", siç e quajti Bumçi, i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
"Pseudoforumi që protestoi sot nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ka nxitur asnjë sugjerim. Ata kanë pasur postet më të larta ekzekutive në çështjet e trashëgimisë kulturore gjatë qeverisjes socialiste dhe nuk kanë sjellë as edhe një debat".
Qeveria Shqiptare, tha Bumçi, "ka treguar interes të veçantë për monumentet e kulturës. Kjo dëshmohet edhe nga diferenca e shifrave mes dy qeverisjeve, gjatë periudhës së qeverisjes socialiste u investuan 477 milion lekë të reja, ndërsa gjatë viteve 2006-2011, të drejtimit nga maxhoranca e djathtë, janë investuar 768 milion lekë të reja, pra 290 milionë lekë më shumë se në periudhën socialiste".
Duke reaguar ndaj akuzës për mosmbrojtjen e monumenteve të Kulturës, Bumçi tha se "në asnjë moment monumente të tilla nuk janë mbrojtur me roje, pasi numri i madh i monumenteve, 107 kisha në të gjithë territorin shqiptar, që mbartin vlera të konsiderueshme historike dhe artistike, apo monumenteve të tjera, si xhami, teqe, si dhe 26 monumente të tjera kulturore e historike, pa futur këtu dhe mozaikët, Kishat bazilikë, kalatë...etj, do të përktheheshin në një kosto shumë të lartë dhe jo domosdoshmërisht efiçente", duke sqaruar se "dhe fizikisht është e pamundur të lësh dikë me armë pranë një varri gjatë gjithë kohës".
Deklarata e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Aldo Bumçi, vjen pas debateve publike të nxitura nga vjedhja e kishës së Shën Premtes, afresket e të cilës ishin dëshmi e artit mesjetar shqiptar, vepra të ikonografëve të njohur në të gjithë Ballkanin.
Ministria e Turizmit dhe Kulturës, më parë kishte njoftuar me anë të kreut të trashëgimisë në MTKRS, Olsi Lafe, se ka ngritur një tryezë teknike ku po diskutohet rasti i fundit i dëmtimit të afreskut 460-vjeçar, i cili nuk është i pari, duke qenë se numri i monumenteve të kultit është tepër i madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.