2013-01-11 17:05:30

Sot kremtohet Dita Botërore e Emigrantit dhe e Refugjatit


Këtë të diele kremtohet Dita Botërore e Emigrantit dhe e Refugjatit e, në tetor, u botua edhe Mesazhi i Benediktit XVI, kushtuar këtij takimi. “Emigrimet: shtegtim feje e shprese” titullohet Mesazhi. Tingëllon si urim i Papës për të gjithë njerëzit që ndërrojnë vend, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, por edhe për kombet, që i presin, duke i nxitur t’u hapin portat, në shenjë solidariteti. Po kujtojmë disa mendime të Papës kushtuar kësaj teme.
Si pritet arritja e emigrantit në vend të huaj? Me shumë indiferencë e pak, krejt pak, përfillje: për të vetë, për familjen e tij e për fantazmat, që besohet se ndryn në shpirt. Janë shumë të përhapura këto ndjenja, në viset e shpresës, ku dynden të pashpresët. Kanë parë vdekjen me sy për sy duke kapërcyer detin mbi një skaf, të lagur deri në palcë nga ujërat e trazuara? Kanë arritur mbi një mjet përvëlues, në temperaturë 50 °, me fëmijët e vdekur pranë? Kjo ka rëndësi, ndoshta, vetëm për mjekët, infermierët, vullnetarët, që përpiqen t’ua rikthejnë një thërrime dinjiteti njerëzve, në sytë e të cilëve pasqyrohet vetë skëterra, prej nga sapo kanë dalë, e ku kanë jetuar gjatë. Por jo për të tjerët, që, në rastin më të mirë i presin emigrantët me indiferencë, e zakonisht, me pakënaqësi të dukshme. Madje ka edhe nga ata, të cilët do të dëshironin të krijonin një shkretëtirë rreth njerëzve, që sapo kanë kapëcyer detin dhe rripat e ndaluar të tokës ndërmjet dy kufijve kaq të ndryshëm “Por ju, u ka kujtuar shumë herë Benedikti XVI të krishterëve, nuk duhet të mendoni e aq më pak, silleni kështu”:
Në veprimtarinë e saj të mikëpritjes e të dialogut me emigrantët e endacakët, bashkësia e krishterë ka si pikëmbështetje të vazhdueshme vetjen e Krishtit, Zotit tonë. Ai u la trashëgim dishepujve të tij një rregull të artë për jetën: urdhërimin e ri të dashurisë” (Audienca me Këshillin Papnor të Emigrantëve, 15 maj 2008).
E që në bagazhin e atyre, të cilët largohen nga situata të vështira, të mos ketë vetëm kalvar udhëtimi e shtegtim kah një ardhmëri krejtësisht e paqartë, por fe e shpresë, si uron Papa në Mesazhin për Ditën e Emigrantit, duhet bërë një hop i vërtetë cilësor qytetërimi. E krishterimi ndihmon për ta ndryshuar vizionin për emigrimet e emigrantët:
Emigrimet ftojnë për të nxjerrë në dritë unitetin e familjes njerëzore, vlerën e mikpritjes, të strehimit, të dashurisë për të afërmin. Pa harruar se kjo duhet të gjejë shprehjen e vet në gjeste të përditshme, në bashkëpjesëmarrjen e në kujdesin për të tjerët, posaçërisht për më nevojtarët. Ja pse Kisha i fton besimtarët t’ua hapin zemrat emigrantëve dhe familjeve të tyre, duke e ditur se ata nuk janë “problem”, por “pasuri”(Kongresi Botëror i Emigrantëve, 9 nëntor 2009).
Janë pasuri e burim, sepse për Kishën - e Benedikti XVI e ripohon këtë edhe në Mesazhin e sivjetëm - emigrantët e refugjatët, me aftësitë e tyre, mund të japin një ndihmesë të madhe për mirëqenien e vendeve ku strehohen. E në se e drejta për të emigruar është një nga shtyllat themelore të lirisë individuale, është kështu, shkruan Papa në mesazh, edhe ajo e shtetit për të rregulluar flukset e emigrantëve:
“Emergjenca në të cilën është shndërruar në kohët tona ky fenomen, kërkon nga ne solidaritet e njëkohësisht, edhe përgjigje të frytshme politike. Edhe vendet nga vijnë emigrantët duhet ta njohin mirë përgjegjësinë, jo vetëm pse bëhet fjalë për bashkëqytetarët e tyre, por edhe pse e kanë për detyrë të punojnë për të zhdukur shkaqet, që nxisin emigrimin e parregullt, si dhe për të shkulur me rrënjë të gjitha format e kriminalitetit, të lidhura me emigrimin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.