2013-01-11 14:50:19

Shqipëri: barazia gjinore, arritje e objektiva


Në Shqipëria barazia Gjinore dhe lufta kundër dhunës në familje ka qënë dhe mbetet në fokus të veprimtarisë së Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të Vendit përgjatë vitit 2012.
Prej vitit 2005 është hartuar dhe zbatuar një legjislacion i plotë në fushën e barazisë gjinore dhe kundër dhunës në familje.
Në këtë fushë, impenjimi kryesor për këtë ministri do të mbetet përfundimi i procesit të ngritjes dhe funksionimit të strukturave vendore përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit. Në arritjet e vitit që lamë pas, vlen të përmendet se Mekanizmi Kombëtar i Referimit të Rasteve të Dhunës në familje u ngrit dhe në 10 bashki të reja, duke arritur në total në 24 bashki të vendit. Prej më shumë se një viti, në zbatim të legjislacionit, është ngritur dhe funksionon Qendra Kombëtare për pritjen e viktimave të dhunës në familje. Gjithashtu, gjatë 2012, për herë të parë u përfshi në Kodin Penal parashikimi i dhunës në familje si një vepër penale. Në të njëjtën kohë, një tjetër arritje në këtë fushë shënon dhe ratifikimi nga Parlamenti i Konventës së Këshillit të Europës "Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje".
Lidhur me luftën kundër diskriminimit me bazë orientimin seksual dhe përkatësisë gjinore, është hartuar një plan masash që do të realizohen deri më 2014. Në fushën e barazisë gjinore dhe luftës kundër dhunës në familje, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka si objektiv të saj që gjatë 2013 të përfundojë hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale 2013-2020.Gjithashtu, kjo ministri do të vazhdojë punën për ngritjen e institucioneve në nivel vendor dhe qendror të parashikuara në Ligjin "Për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve" dhe ligjin "Për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje".







All the contents on this site are copyrighted ©.