2013-01-11 17:05:47

Shpërdorimet mbi të miturit: Konferenca ipeshkvnore gjermane e ndërpret planin e hulumtimit.


Konferenca ipeshkvnore gjermane e ndërpreu planin e hulumtimeve lidhur me shpërdorimet seksuale, kryer nga klerikët, në bashkëpunim me Institutin e kërkimeve në fushën e kriminalogjisë të Saksonisë së Poshtme e tani po kërkon një partner tjetër, për të përballuar në një mënyrë të re, më të thelluar, këtë çështje. Përmes një komunikate, ipeshkvijtë gjermanë shpjegojnë pse e morën këtë vendim, duke pohuar se në këtë rrugë të vështirë kërkimore, mungoi lidhja e mirëbesimit me profesorin Christian Pfeiffer, drejtor i Institutit. Na vjen shumë keq që ky projekt nuk mund të çohet deri në fund me Institutin e kërkimit kriminalogjik e që duhet të kërkojmë një partner tjetër, me të cilin të rifillojmë projektin e ndërprerë, duke hequr dorë nga marrëveshja me Institutin në fjalë, për arsye shumë serioze e duke kërkuar edhe kthimin e fondeve, që derdhëm për vijimin e hetimit.
Lidhja e mirëbesimit ndërmjet drejtorit të institucionit dhe ipeshkvijve gjermanë, lexohet në komunikatë, u ndërpre. E kjo, sepse besimi është element i domosdoshëm në një projekt kaq të rëndësishëm e delikat. Lidhur me këtë, partnerët e projektit ishin dakord që në hapat e para. Sjellja e profesor Pfeiffer në fushën e komunikimit me drejtuesit kishtarë çoi në humbjen e besimit të nevojshëm për vijimin e bashkëpunimit konstruktiv. Na vjen keq që nuk mundëm të gjejmë një rrugëzgjidhje të pëlqyeshme për të dyja palët, pavarësisht nga përpjekjet tona.
Megjithëkëtë, Konferenca ipeshkvnore gjermane vijon të jetë e bindur për nevojën e hetimit kriminalogjik lidhur me shpërdorimet seksuale mbi të miturit në mjediset e Kishës. Prandaj ajo po kërkon një partner tjetër për vijimin e projektit. Për këtë qëllim, javët e ardhshme parashikohen disa bisedime.
Projekti i hulumtimit përfshihet në kuadrin e një plani më të gjerë veprimi, që Kisha gjermane po e vijon që prej tre vjetësh. Në pranverën e vitit 2010, pak pas zbulimit të një numri të madh shpërdorimesh, Konferenca ipeshkvnore mori një sërë masash për t’i bërë ballë çështjes së dhunës seksuale mbi të miturit në mjediset kishtare. Ndërmjet tyre, kujtojmë krijimin e linjës së gjelbër telefonike, rihartimin e vijave drejtuese për përballimin e argumentit, bashkëpunimin me ‘Tryezën e rrumbullakët’, themeluar nga qeveria federale, masa të shumta parandalimi e ndihmë për rishikimin profesional, pa harruar edhe njohjen materiale të dëmit të pësuar. Përtej këtyre masave, kanë nisur të vihen në jetë edhe dy projekte shkencore. Veç projektit me Institutin e kërkimeve në fushën e kriminalogjisë të Saksonisë së Poshtme, kemi edhe një projekt tjetër, që synon të analizojë këshillat e njerëzve të drejtësisë lidhur me meshtarët që kanë të bëjnë me këtë problem, drejtuar nga një grup kërkimor, kryesuar nga profesor Norbert Leygraf i Universitetit të Duisburg-Essen. “Mundem t’ia paraqesim opinionit publik rezultatet e këtij kërkimi që në dhjetor 2012. Kjo veprimtari e Kishës tregon se jemi gjithnjë të impenjuar për ta përballuar me thellësi e transparencë, këtë problem kaq të mprehtë”, pohojnë ipeshkvijtë gjermanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.