2013-01-11 17:20:22

Liturgjia e Fjalës zë Zotit
Pagëzimi i Jezusit!


Krishti është shpëtimi i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja për botën. Miq të nderuar, ia përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së solemnitetit të Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan.
Me Festën e Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, mbyllet periudha e festave që lidhen me fundin e një viti e me fillimin e një viti të ri, të periudhës së Krishtlindjes.
Gjatë kësaj kohe shpirtërore, liturgjike, Fjala e Zotit na ka kërkuar si besimtarë ta njohim në ngjarjen e Lindjes së Krishtit shenjën e shpëtimit të njeriut, të shenjtërisë së familjes e të paqes për botën.
Edhe pas mëse dymijë vjetësh, qendra e rrezatimit të paqes që kërkon njerëzimi, qendra e shpëtimin nga e keqja me të gjitha aspektet e saj, nuk është zhvendosur nga nata e Betlehemit e nga Foshnja Hyjnore .
“Shpëtimtari i të gjithëve” edhe një herë ka fytyrën e një Foshnjeje, ka forcën e tij të brishtë, të një nëne e të një babe shembull për çdo familje, megjithëse sot modelet që po përhapen janë tjera. Zemra e Liturgjisë është Zoti-Fëmijë që rrezaton të gjitha këto aspekte të jetës njerëzore.
Në kremtimin e Natës së Krishtlindjes, më 24 dhjetorin e kaluar, nga Fjala e Zotit dëgjuam se Zoti nuk vjen me pushtet e madhështi të jashtme. Ai vjen si fëmijë i pambrojtur, që ka nevojë për ndihmën tonë. Nuk do të na mposhtë me forcë. Na e heq frikën nga madhështia e tij. Ai na kërkon vetëm dashuri: për këtë bëhet fëmijë.
Asgjë tjetër nuk do prej nesh, përveçse dashurinë, nëpërmjet së cilës mësojmë se si të hyjmë në ndjenjat e tij, në mendimet dhe vullnetin e tij – mësojmë të jetojmë me Të dhe të vëmë në jetë së bashku me Të edhe përvujtërinë e heqjes dorë nga disa gjëra, përvojë që është thelbi i dashurisë.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 40, 1-5. 9-11

Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar. Një profeci e tillë do të kryhet kur do të arrijë Jezu Krishti që është shfaqja e fundit e shpëtimit të Hyjit.

Lexim prej Librit të Izaisë profet

“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tënzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; grihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës:
“Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 104
----------
I bekuar Zoti që dhuron jetën!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri,
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë,
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
----------
Retë i bëre karrocë për vete,
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu,
zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.
----------
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe:
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë,
atje zvarranikë saqë numri s'u dihet,
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
----------
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
po ua more frymën, ato ngordhin
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen dhe e rinon
fytyrën e dheut.
----------
Leximi i dytë Tit 2,11-14; 3,4-7

Shfaqja më e lartë e mirësisë dhe dashurisë së Hyjit për njerëzit është Krishti Shpëtimtar. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin. Kjo dashuri reagon në ne nëpërmjet Shpirtit Shenjt dhe na bën krijesa të reja të drejtuara drejt jetës së amshuar.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit

Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.
Fort të dashur, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
Fjala e Zotit.

† Ungjilli Lk 3, 15-16.21-22

Ungjilli tregon momentin e pagëzimit të Jezusit, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi të dhe u dëgjua zëri i Atit që e paraqet si Birin e vet të dashur. Jezusi, duke marrë pagëzimin, përuron kohën e Ungjillit, është i shpallur e i njohur si “Bir”, në mënyrë që pas Tij të gjithë njerëzit të mund të bëhen bij të Hyjit. Në momentin e pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan, ndodh zbulimi i misterit të Trinisë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëset e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”
Fjala e Zotit.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të solemnitetit të Pagëzimit të Jezusit, mund të dëgjoni këtu.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.