2013-01-11 14:31:28

Kosova uron Irlandën për Presidencën e Këshillit të BE-së


Me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga ana e Republikës së Irlandës, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami, ka uruar ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Irlandës, Eamon Gilmore.
Ministri Hoxhaj ka shprehur bindjen e plotë se në gjashtë muajt e ardhshëm Presidenca Irlandeze do të kontribuojë fuqishëm në përkushtimin e Bashkimit Evropian drejt rimëkëmbjes, me qëllim të sigurimit të stabilitetit, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.
"Ne ndajmë vlera të njëjta fondamentale rreth zgjerimit të BE-së. Ky proces strategjik ka ndihmuar për tejkalimin e trashëgimisë komuniste, duke unifikuar Evropën Qendrore dhe Lindore me Evropën Perëndimore, pas dekadash të ndarjes ideologjike artificiale, drejt një synimi të përbashkët evropian. Në këtë kontekst, ne jemi mirënjohës që Irlanda do të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian", ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka theksuar po ashtu se si një shtet potencial kandidat, me përkrahjen më të gjerë të opinionit të brendshëm në rajon, rreth integrimit në BE, Republika e Kosovës është e vendosur në orientimet e saj strategjike për avancimin e rrugës së saj evropiane.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.