Amik Kasoruho: Kisha katolike dhe shkolla e parë shqipe
Kur në Mesjetën e vonë Europa rizbuloi klasikët e Greqisë dhe të Romës, Shqipëria
ishte një vend i pushtuar, ku vihej në rrezik jo vetëm vijimi dhe i kulturës autoktone,
por vetë jeta e kombit. Rrezikoheshin vlerat historike të një populli, i cili, deri
pak kohë më parë, kishte qenë pjesë organike e qytetërimit europian. Pushtimi turk,
jo vetëm që e mbajti këtë popull larg zhvillimit të pjesës tjetër të Europës, por
këmbënguli me keqdashje në qëllimin e vet për ta detyruar të humbiste origjinalitet
dhe origjinë, mbi të gjitha duke favorizuar kthimin e pjesës më të madhe të popullit
në fenë islamike. Periudha e gjatë e pushtimit turk (rreth 450 vjet), në mos tjetër,
bëri që të humbitnin gjurmët e vazhdimësisë historike të një populli dhe të një qytetërimi
të lashtë, po të përjashtohet ajo pjesë e kulturës vendase që gjeti strehë në pasurinë
gojore të një folklori origjinal dhe tejet të pasur. Prandaj, për të rindërtuar të
kaluarën historike të Shqipërisë, në shumicën e rasteve, duhet t’u drejtohemi burimeve
arkivore të vendeve të tjera (të Stambollit, të Vatikanit, të Venedikut, të Vjenës
etj.). Nga Arkivi i Shtetit i Tiranës mund të nxirren gjëra të pakta, meqë mbi të
rëndon dyshimi që të jetë vënë dorë në pesëdhjetë vitet e fundit të diktaturës komuniste. Vitet
e fundit është bërë diçka për t’ia nisur një rindërtimi historik, edhe pse ka munguar
një kërkim sistematik dhe rrënjësor ndër arkivat e ndryshëm (dihet se, për të bërë
këtë, duhen shumë të holla, kohë të gjata dhe shumë vullnet i mirë …). Një gjë
del krejt e qartë: për zhvillimin e kulturës, të arsimit dhe të shkollës në Shqipëri,
ka pasur rëndësi themelore kontributi i dhënë nga kleri i besimeve të ndryshme fetare,
por mbi të gjitha ai i Kishës Katolike. Një gjë e tillë vihet re haptazi qysh në
fillimet e historisë së letërsisë shqiptare. Pohimi i parë për të folurit shqip
(dhe me gjasë edhe gjuhës së shkruar) i përket një shënimi (1332) të një domenikani,
Gulielmo Adae, nga i cili veç është vështirë të hipotizohet, siç kanë bërë disa,
për ekzistencën e një letërsie të shkruar në shqip qysh në shekullin XIV. Në të vërtetë
i pari dokument i shqipes së shkruar (i zbuluar deri sot) i përket vitit 1462 dhe
është Formula e Pagëzimit në shqip, e shkruar nga Arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli.
Për botimin e librit të parë në shqip, Mesharin e Gjon Buzukut, i cili u shtyp jashtë
vendit, duhet pritur viti 1555: që të dy këto fakte vërtetojnë se, veçanërisht për
tekstet liturgjike, gjuha e vendit përpiqej të zëvendësonte latinishten. Ndonjë studiues
është i mendimit se edhe më përpara, qysh në kohë të Skënderbeut, kronikat shkruheshin
“në gjuhën e popullit”, por mjerisht kjo gjë nuk është vërtetuar nga dokumentet. Sidoqoftë,
del në shesh një fakt: të parët që e shkruan shqipen kanë qenë priftërinjtë katolikë.
Dhe nuk mund të ishte ndryshe, meqë këta klerikë kishin një kulturë të madhe, të cilën
donin ta vinin në dispozicion të vendit. Tërësia e veprave të Buzukut, Budit, Bogdanit,
Bardhit, Palit nga Hasi, Gjon Nikollë Kazazit, Lekë Matrangës, Nikollë Ketas dhe të
tjerëve që i ndoqën, tregon dukshëm lidhjen me vlerat e kombit të këtyre të mëdhenjve
të kulturës shqiptare. Vlen për të gjithë pohimi i Buzukut që, në parathënien e “Mesharit”
të tij thotë se e ka shkruar këtë vepër në shqip “nga dashuria për gjuhën tonë”. Me
shumë gjasë (duke gjykuar nga të dhënat që disponohen deri më sot) shkolla e parë
shqiptare ka qenë ajo e Stubllës në Kosovë, themeluar më 1584; ka të ngjarë që
në atë shkollë të jetë përdorur gjuha shqipe, të paktën për një pjesë të mësimeve.
Në studimin e shkurtër të Sarë Gjergjit lexojmë: “Qysh në shekullin XVI misionarët
katolikë provuan të themelojnë një shkollë të lartë në territorin e famullisë katolike
të Karadakut të Shkupit, meqë aty nuk banojnë dhe nuk vijnë turqit … Sidomos Stublla
(afër Gjilanit), fshat që flet gjuhën shqipe, ka qenë i përshtatshëm për hapjen e
një kolegji të tillë katolik”. Zgjedhja e një fshati albanofon vlerëson tezën se
në atë shkollë mësimet duhej të zhvilloheshin edhe në shqip. Natyrisht, si kusht i
nevojshëm për hapjen e shkollës ishte njohja dhe përdorimi i mirëfilltë i shqipes.
Pak më vonë së tridhjetë vjet mbasi botimit të librit të parë shqip hasemi, pra, në
të parën shkollë shqiptare; një fakt simbolik ky, që tregon lidhjen e ngushtë mes
gjuhës, fesë, kulturës dhe shkollës në Shqipëri. Është shumë e vështirë të depërtosh
në errësirën e një epoke që s’ka lënë dëshmi. Kostantin Jireçek ka pasë thënë se “as
ndërmjet Galipolit dhe Adrianopolit nuk ishin rrënuar aq shumë qytete mesjetare sa
ç’u shkatërruan vetëm në rrethet e Durrësit dhe të Shkodrës”. Duhet mbushur një
zbrazëti prej gati pesëdhjetë vjetësh para së të hasemi në themelimin, nga ana e priftërinjve
katolikë, të shkollës së Kurbinit në vitin 1632, një shkollë që, sipas studiuesit
Shefik Osmani, në programin e vet mësimor përfshinte edhe studimin e shkrimtarëve
shqiptarë Bardhi, Budi e Bogdani. Në vitin 1638 Etërit Françeskanë hapën një shkollë
në Shkodër dhe, në të njëjtin vit, një tjetër në Pllanë. Në vitin 1639
Fretërit e Troshanit hapën shkolla në Blinisht dhe në Zadrimë. Krijimi i këtyre
shkollave në gjysmën e parë të 600-ës rrjedh nga një interes i ndjeshëm për zhvillimin
e arsimit. Arqipeshkvi Pjetër Mazreku nga Prizreni në raportet e tij (të shkruar në
vitet 1632-1633) (thekson) rolin e shkollës dhe nevojën e shkollimit të shqiptarëve. Në
shekullin XVI Ndre Bogdani kishte shkruar një gramatikë latinisht- shqip që, me sa
dihet, qe përdorur në shkollën e javës. Por për të arritur në themelimin e të
parës shkollë shqip në plot kuptimin e fjalës, duhet pritur gjysma e shekullit XIX.
Në studimin e saj mbi historinë e shkollës shqiptare, Fehime Pipa niset pikërisht
nga viti 1861, vit në të cilin u themelua shkolla françeskane e Shkodrës (e thirrur
zakonisht shkolla e Fretënve), duke lënë jashtë periudhën para atij viti, sepse
studimi i saj përfshin vetëm njëqind vjetët e fundit. Në shkollën e Shkodrës,
për herë të parë në histori, gjuha bazë është shqipja, sepse ajo ishte një shkollë
e hapur dhe jo ngushtësisht fetare: ajo hodhi themelet e shkollës publike në Shqipëri.
Ky primat, në një farë kuptimi, është pika e mbërritjes ku çuan përpjekjet e bëra
nga klerikët katolikë në këtë drejtim, pa i hequr asgjë kontributit të dhënë nga laikët
apo nga eksponentët e besimeve të tjera fetare (dhe duhen marrë në konsideratë edhe
përpjekjet e diasporës shqiptare, në radhë të parë të arbëreshëve të Italisë). Dy
vjet para hapjes së “shkollës së Fretënve” në Shkodër, po në atë qytet, jezuitët
kishin themeluar Kolegjin Papnor(1859) dhe, më 17 tetor 1877, me kërkesën këmbëngulëse
të banorëve të Shkodrës, hapën Kolegjën Saveriane. Më 14 nëntor 1882, në
Tirana e lart (ku kishte një përqendrim më të madh të katolikëve) shkollat
e para (dhe nuk bëhet gabim të thuhet më të kualifikuarat) qenë themeluar nga
meshtarët, nga rregulltarët dhe nga rregulltarët e Kishës Katolike. Ndërsa
në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut qe kleri ortodoks dhe ai mysliman, bashkë me shumë
laikë që iu përveshën punës për shkollimin e Shqipërisë. Në Voskopojë (në
rrethin e Korçës) më 1720 pat qenë themeluar Akademia e Re; dhe në Korçë,
më vonë, (më 7 mars 1887) u hap e para shkollë shqipe e Jugut dhe (më 1891)
e para shkollë shqiptare për vajza; pastaj i erdhi radha themelimit të Normales së
Elbasanit (1909) dhe gjimnazeve, laike dhe shtetërore të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës.
Ndër shkollat katolike mbizotëroi parapëlqimi për disiplinat klasike, ndër shkollat
e tjera për ato shkencore. Gjithsesi këto shkolla ishin realizimi i ëndrrës së burrave
të mëdhenj të kombit shqiptar dhe trupëzimi i përpjekjeve të njerëzve të ndritur të
vendit. Ato shkolla ishin shkallaret nëpër të cilat do të ngjitej drejt përparimit
shoqëria shqiptare. Në shkollat e Shkodrës dhe të Tiranës, të hapura nga priftërinj
katolikë, dhanë mësim personalitete ndër më të njohurat e botës intelektuale shqiptare
të asaj kohe dhe, i pari ndër të gjithë ishte Fishta, gjë që provon qartë dhe në mënyrë
elokuente: ç’rëndësi i jepnin këto personalitete arsimit dhe shkollës. Ja një listë
e emrave gjithë prestigj që nuk mund të mos bëjë përshtypje: At Leonardo De Martino
(arbëresh) (1830-1923), poet; DomNdue Bytyçi (1847-1917) poet, studiues i pedagogjisë: At
Anton Xanoni (1863-1915) shkrimtar, autor tekstesh shkollore dhe përpilues antologjish
letrare; Dom Ndre Mjeda (1866-1937), poet dhe filolog; At Pashk Bardhi (1870-1948),
shkrimtar; At Shtjefen Gjeçovi (1874-1948), etnolog, studiues i të drejtës zakonore: At
Gjergj Fishta, (1871-1940), poet; At Anton Harapi (1888-1946), orator, publicist; At
Justin Rrota (1889-1964), linguist; At Marin Sirdani (1885-1962), shkrimtar dhe
historian; At Bernardin Palaj (1894-1949), etnolog dhe poet; At Pal Dodaj (1880-1951)
publicist; At Donat Kurti (1903-1983), etnolog dhe pedagogjist; At Benedikt
Dema (1904-1960), shkrimtar dhe publicist; At Gjon Shllaku (1907-1946), filozof
dhe pedagogjist; At Daniel Dajani (1916-1947), publicist. Këto dhe personalitete
të tjera fetare, që janë pjesë përbërëse e botës së kulturës shqiptare dhe që ngjallin
respekt për veprën e tyre fetare dhe për impenjimin e tyre të ndritur në lëmin e artit
dhe të kulturës, nga ana tjetër kanë kontribuar, dhe jo pak, për të përvijuar dimensionin
patriotik dhe shoqëror të institucioneve shkollore; ata e kishin bërë të vetën thënien
e Kantit “arsimi është pesha më e madhe që mund të vendohet mbi supet e një njeriu”.
Dhe këtë detyrë të rëndë, të vështirë por fisnike ata e kryen deri në fund me dinjitet
e seriozitet. Dhe ç’është e vërtetë, që angazhimi i tyre konsekuent dhe fort i
kualifikuar që dha dorë të formohej ajo gjeneratë intelektualësh e asaj Shqipërie
që, më 1912, nisi të ecte me këmbët e veta. Por kjo përpjekje nuk u vu në jetë pa
pengesa. Mbas pengesave të nxjerra nga pushtimi turk, kjo vepër, me kalimin e kohës,
u desh të përballonte edhe sulmet e një materializmi të anshëm dhe të një laicizmi
kontingjent. Kësisoj, duke filluar nga viti 1932, kishte nisur fushata për shtetëzimin
e shkollave private dhe fetare. Në prill 1933 u modifikua Kushtetuta dhe, si rrjedhojë,
më 1934 u shtetëzuan dhe deri u mbyllën 23 shkolla private dhe fetare (nga të cilat
17, apo 74%, ishin shkolla të katolikëve), 57 shkolla të pakicave greke në jug të
vendit, seminari i Kishës Ortodokse në Tiranë, Medreseja (shkolla e mesme fetare myslimane)
e edhe të tjera. Qysh nga ajo kohë deri në mbylljen përfundimtare të të gjitha
shkollave jo shtetërore kaluan fare pak vjet. Më 1945, në kuadrin e reformës shkollore
që u bë me dashjen e diktaturës komuniste, u pre përfundimisht mundësia që të rihapeshin
shkollat fetare dhe private. Kjo periudhë e dytë dhune zgjati gati gjysmë shekulli,
gjatë së cilës u bë çmos për të heshtur faktet, të cilat tashmë janë pjesë e vetë
historisë kombëtare shqiptare. Një fakt për të gjithë: si datë e themelimit të shkollës
së parë shqiptare u shpall 7 Marsi 1887, dita kur u hap shkolla e Korçës. Viti 1861
u la me dashje në një harresë të padrejtë. Por kjo, falë Zotit, bën pjesë në një të
kaluar tashmë të varrosur. Pohimi i parë për të folurit shqip (dhe me gjasë edhe
gjuhës së shkruar) i përket një shënimi (1332) të një domenikani, Gulielmo Adae,
nga i cili veç është vështirë të hipotizohet, siç kanë bërë disa, për ekzistencën
e një letërsie të shkruar në shqip qysh në shekullin XIV. Botuar në MAPO, 8
janar 2013