Revoltë në kampin e Zaatarit në Jordani. Imzot Laham: të krishterë e myslimanë, një
zemër për refugjatët sirianë
Dëbora, era e shiu i akullt, që këto ditë kanë marrë në shënjestër Jordaninë, kanë
shkatërruar pothuaj krejtësisht kampin e Zaatarit, ku jetojnë në një gjendje gjithnjë
e më të patolerueshme, 50 mijë refugjatë sirianë. Sipas lajmeve nga Karitasi i Jordanisë,
janë prishur së paku 500 tenda e shumë prej refugjatëve kanë marrë rrugën e kthimit
për në Siri. Dje pasdite, një grup i dëshpëruar sulmoi edhe personelin e OKB-së, që
administron kampin. Karitasi kërkon prej kohësh mbylljen e kampit të Zaatarit dhe
hapjen e një kampi tjetër në zonës e Zarqasë, por ky operacion shtyhet gjithnjë në
një ‘hidh e prit’ përgjegjësish ndërmjet qeverisë jordaneze dhe zyrtarëve të OKB-së.
Deri tani, në Jordani janë strehuar 280 mijë sirianë. Ndërkaq, në Lindjen e Mesme,
vazhdon shtegtimi vjetor i ipeshkvijve evropianë dhe amerikanoveriorë, të cilët u
çojnë solidaritetin e Kishave të tyre të krishterëve të Tokës Shenjte. Grupi po qëndron
pikërisht në Jordani, ku ndihma për refugjatët sirianë impenjon edhe rreth 200 mijë
të krishterët e vendit, gjysma e të cilëve, katolikë. Kisha Katolike vlerësohet nga
të gjithë pikërisht për punën e saj në ndihmë të shoqërisë. Të dëgjojmë ipeshkvin
e Amanit, imzot Marun Elias Laham: Kisha respektohet shumë dhe ka mjaft ndikim
në fushat e ndihmës shoqërore, të formimit njerëzor e profesional. Dihet se shkollat
tona famullitare ekzistonin me vite para shkollave publike në Jordani. Edhe përsa
u përket refugjatëve kemi përvojë të madhe. Merremi me refugjatët e Palestinës, që
janë këtu prej 60 vjetësh. Pastaj, në vitet ’70, erdhën refugjatët libanezë e që prej
12 vjetësh mbërrijnë refugjatë irakianë. Tani, kemi edhe sirianët. Jordania nuk mund
t’i mbyllë kufijtë, sepse këta janë vëllezërit tanë arabë, që e kemi për detyrë t’i
presim. Po bëjmë ç’është e mundur, por duhet kujtuar se Jordania është vend i varfër,
nuk ka struktura për mikpritjen e refugjatëve e, jemi i katërti vend i botës për mungesën
e ujit të pijshëm. Ky nuk është problem i vogël, pasi refugjatët përdorin
ujin, që do të duhej të shkonte në shtëpitë e jordanezëve, apo jo? Po, por
kur e do tjetrin, duhet t’i ndash gjërat me të. E kjo nuk është vetëm vlerë e krishterë,
por vlerë arabe. Bujaria, hapja e portës për tjetrin e ndarja e bukës me të janë vlera
arabe e ne jemi krenarë për to. Ndajmë me vëllezërit myslimanë edhe interesat kryesore,
si paqja dhe siguria e Jordanisë. Kur shohim ç’po ndodh në Siri e në Irak, i lutemi
Zotit të gjithpushtetshëm të na japë qetësi e siguri.