2013-01-09 15:40:31

Raporti “Open Doors” 2013: persekutimet fetare ne botë e rreziku i islamizimit të Lindjes së Mesme


Është në rritje vetëdija për dramën e persekutimeve fetare në botë, por të dhënat konfirmojnë se ky fenomen vazhdon e ka të bëjë kryesisht me të krishterët. Në këtë rezultat arrin Raporti i këtij viti i organizatës ndërkombëtare “Open Doors”(Dyer të Hapura), me bazë në SHBA-të. Prej tij mësohet se në Korenë e Veriut mbahen në kampet e përqendrimit rreth 70 mijë besimtarë, por edhe se Kina e ka përmirësuar disi gjendjen e saj, duke kaluar nga vendi i 21-të në vendin e 37-të ndër intolerantët. Në fokus, ngjarjet në Lindjen e Mesme e në Afrikën e Veriut, për të cilat flasim me zëdhënësen e organizatës “Ndihmë për Kishën që vuan”, Marta Petrozilo:
Tregohet shumë vëmendje për ngjarjet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut, ndërsa vazhdojnë edhe situata të tjera kritike, si në Kinë, në Mianmar e në Korenë e Veriut.
Në këto zona ka konflikte e ndeshje me armë, por ka filluar edhe një proces islamizimi, apo jo?
Po, mund të flasim për islamizim. Në këndvështrimin e pakicës së krishterë, shpresa e ngjallur nga “pranvera arabe” u ndoq nga zhgënjimi i thellë. Të rinjtë, që mbushën sheshet gjatë “pranverës arabe”, duke filluar nga sheshi Tahrir në sheshe të tjera, nuk ditën të organizohen politikisht. Kështu, boshllëku i lënë nga rënia e regjimeve të mëparshme u mbush nga lëvizjet e ndryshme, si për shembull, ajo e Vëllezërve Myslimanë. Prej këndej, frika që diktatura politike të ndiqet nga një diktaturë fetare. Shqetësime të mëdha shkakton Egjipti, për shembull, ku kanë ndodhur disa ngjarje alarmuese: para pak kohësh, dy fëmijë, 8 e 10 vjeç, u arrestuan me akuzën e profanimit të Kuranit, në emër të një blasfemie për të cilën s’është folur kurrë më parë në Egjipt. Në Siri, gjendja është mjaft e ndërlikuar, sepse pakica e krishterë ndodhet mes kudhrës së regjimit e çekanit të lëvizjeve të opozitës, e cila nuk ka natyrë të qartë. Dimë se brenda saj kanë hyrë elementë xhihadistë… Pra, është një situatë, që nuk të lë të shpresosh zhvillime pozitive e i krijon mjaft shqetësime pakicës së krishterë.
Në raport, flitet edhe për Mianmarin…
Po, lajmet që vijnë nga ipeshkvijtë e vendit nuk janë aq pozitive, pavarësisht se kohët e fundit, qeveria e Mianmarit ka ndërmarrë disa reforma, të cilat përvijojnë një farë përmirësimi. Fatkeqësisht, ipeshkvijtë thonë se vazhdojnë kontrollet, vazhdojnë persekutimet, sidomos ndaj etnisë Kaçin, me shumicë të krishterë. Njëri nga ipeshkvijtë vë në dukje se për nga zhvillimi ekonomik e për nga liria politike, Mianmari radhitet akoma ndër vendet e fundit. Ne, si Kishë, detyrohemi të punojmë me kufizime, të cilat, as që mund të kuptohen nga vendet perëndimore.







All the contents on this site are copyrighted ©.