2013-01-09 15:38:12

Papa në audiencën e përgjithshme: kush nuk dhuron paksa nga vetvetja, dhuron gjithnjë tepër pak.


Dhuratë dashurie, që na mëson ç’do të thotë të japësh falas, pa kurrfarë interesi: ky është kuptimi i Mishërimit të Jezusit. Në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin ngjarjes fillestare të shëlbimit. Papa i ftoi të krishterët ta rifitojnë mahnitjen përballë këtij misteri të pashembullt.
Ati i Shenjtë, pra, u ndalua gjatë katekizmit, posaçërisht tek misteri i Hyjit, që zbriti nga qielli, për të hyrë në korpin tonë. Zoti u bë njeri si ne, me mish e gjak njerëzor. Mendoi si njeri. Deshi si njeri. Pati nënë, baba, miq. E megjithatë, në festën e madhe të Krishtlindjes, shpesh na tërheqin më shumë ngjyrat, ana e jashtme e së vërtetës, sesa zemra e madhe e risisë së krishterë, kumti, që na rikujton çdo vit se Zoti hyri në histori, domethënë, në kohën, hapësirën e, sidomos, në ligështinë njerëzore. Mister i madh, nënvizoi Benedikti XVI, që përmblidhet në shprehjen tejet të shkurtër: “Fjala u bë njeri”:
“E kjo, për të thënë se shëlbimi, që solli Zoti i mishëruar në Jezusin e Nazaretit, e prek njeriun në realitetin e tij konkret e në çfarëdo lloj situate. Hyji pranoi të jetojë si njeri, për ta shëruar njeriun nga gjithçka e ndan prej Tij, për t’i krijuar mundësinë ta quajë, në Birin e Tij të Parëlindur, me emrin ‘Abbà, Atë’, e për të qenë vërtet bir i Hyjit”.
Më pas Papa foli për mahnitjen, që e pushton njeriun para këtij misteri, duke theksuar se në kohët tona ka nisur të zbehet e, prandaj, edhe duhet rifituar:
Është e rëndësishme ta rifitojmë mrekullimin përballë këtij misteri, të thithemi nga madhështia e kësaj ngjarjeje: Hyji, Hyji i vërtetë, krijuesi i të gjitha sendeve, përshkoi si njeri udhët tona, duke hyrë në kohën e njeriut, për t’i komunikuar vetë jetën e tij. E këtë nuk e bëri me shkëlqimin e sovranit, që e nënshtron botën me pushtetin e vet, por me përvuajtërinë e një foshnjeje”.
E pasi foli për përmasat e jashtëzakonshme të mishërimit, Benedikti XVI vuri në dukje disa aspekte të kësaj ngjarjeje të pashoqe. Mbi të gjitha, vlerën që ka dhurata. Duke përjashtuar dhuratat, që bëhen për forcë zakoni, shpjegoi, dhurata shpreh dashuri, është shenjë dashamirësie e nderimi. Po Zoti shkoi shumë më përtej, pohoi Ati i Shenjtë, u bë njeri si ne, për të na dhuruar natyrën e tij hyjnore. E duke bërë kështu, i dha një masë të re aktit të dhurimit:
“Kush nuk arrin të dhurojë paksa nga vetvetja, dhuron gjithnjë tepër pak, madje, nganjëherë, përpiqet ta zëvendësojë zemrën dhe impenjimin e dhurimit, me para, me sende materiale. Misteri i Mishërimit na tregon se Zoti nuk bëri kështu: nuk na dhuroi ndonjë gjë, por na bëri dhanti vetveten në Birin e Tij të vetëm. Ta gjejmë këtu modelin, kur duam të dhurojmë, që marrëdhëniet tona, posaçërisht ato më të rëndësishmet, të udhëhiqen nga dashuria pa kurrfarë interesi”.
Pas pohimit për dhurimin e plotë të vetvetes, që u duk në përfundim të audiencës edhe në një tweet papnor, Benedikti XVI dha edhe dy mendime për ardhjen e Krishtit në botë. I pari iu kushtua faktit se, duke u bërë njeri si ne, Hyji e shpreh dashurinë hyjnore me një realizëm të paparë e të padëgjuar, sepse nuk kënaqet vetëm me fjalë, por hyn në historinë tonë:
“Kjo mënyrë e veprimit të Hyjit është nxitje e fuqishme. Na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen për fenë tonë, që nuk duhet kufizuar në sferën e ndjenjave, të emocioneve, por duhet të hyjë në konkretësinë e jetës sonë, duhet ta prekë jetën tonë të përditshme e ta orientojë edhe në mënyrë praktike”.
Reflektimi i dytë u përqendrua tek lidhja e pazgjidhshme, e thellë, shpirtërore, ndërmjet faqeve të Biblës para e pas Mishërimit të Jezusit:
“Besëlidhja e Vjetër dhe e Re duhen lexuar gjithnjë së bashku e, duke u nisur nga e Reja, kuptohet thellësisht edhe e Vjetra. Me Mishërimin e Birit të Hyjit, nis një krijim i ri, që i jep përgjigjen e plotë pyetjes ‘Kush është njeriu?’. Vetëm në Jezusin dëftohet plotësisht plani i Hyjit për qenien njerëzore: Ai është njeriu përfundimtar sipas Hyjit”.
Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit në tetë gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI kujtoi Festën e Pagëzimit të Zotit, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, duke i ftuar posaçërisht të rinjtë, ta rizbulojnë çdo ditë hirin e sakramentit.
Të sëmurët Papa i ftoi të marrin nga Pagëzimi forcë, për të përballuar çastet e dhimbjes e të shqetësimit.Të posamartuarit i porositi t’i realizojnë zotimet e Pagëzimit në udhën e përditshme të jetës familjare.







All the contents on this site are copyrighted ©.