2013-01-09 15:40:12

Imzot Massafra: Zoti na bekoftë e dhuroftë paqen e Tij gjatë vitit 2013


Fjala përshëndetëse e imzot Angelo Massafra në tetarin e Shkodrës Migjeni më 8 janar 2013 me rastin e paraqitjes së Mesazhit të Papës Benediktit XVI për Ditën e 46-të Botërore të Paqes 2013, kremtuar më 1 janarin e kaluar me temë: “Lum veprimtarët e paqes”, para publikut shkodran.
“Shumë të Nderuara Autoritete fetare, shumë të Nderuara Autoritete civile, shumë të dashur vëllezër e motra!
Vit të mbarë të gjithëve! Këtë ditë të parë të vitit 2013 do të doja t’i dërgoj çdo burri e çdo gruaje të dioqezës sonë bekimin e Hyjit dhe urimin tim të paqes për një Vit të mbarë për Shkodrën. Po e bëj këtë me formulën e hershme që gjendet në Shkrimin e Shenjtë, Bibël: « Zoti të bekoftë e të ruajt! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhëntë paqen!» (Num 6,24-26).
Lum pajtuesit”: kjo është tema e zgjedhur nga Benedikti XVI për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes 2013. Dua të falënderoj Atin e Shenjtë, Benediktin XVI, që i ka dhënë këtë mesazh mbarë botës.
Falënderoj Z. Luigj Mila, Përgjegjës i Qendrës Drejtësi e Paqe, shkollat tona, grupet famullitare, bashkëpunëtorët dhe Drejtorin e Teatrit për këtë mbrëmje të bukur.
Ashtu sikurse drita dhe ngrohtësia e diellit janë një bekim për tokën, e tillë është edhe drita e Hyjit për njerëzimin, kur Ai bën të ndriçojë fytyra e vet mbi të. Dhe kjo ka ndodhur me lindjen e Jezu Krishtit!
Prandaj, tetë ditë pas Krishtlindjes, kur Kisha, sikurse Virgjëra Nënë Maria, i dëfton botës Jezusin e sapolindur, Princin e Paqes, kremtojmë Ditën Botërore të Paqes. Po, ai Fëmijë, që është Fjala e Hyjit e bërë njeri, ka ardhur për t’u sjellë njerëzve një paqe që bota nuk mund ta japë (krh. Gjn 14,27). Misioni i tij është ta shembë «murin e armiqësisë» (krh.
Ef 2,14). Dhe kur, në brigjet e liqenit të Galilesë, Ai shpall «Lumturitë» e tij, ndër to është edhe «Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit» (Mt 5,9).
Kush janë pajtuesit? Janë të gjithë ata që, ditë për ditë, mundohen ta mposhtin të keqen me të mirën, me forcën e të vërtetës, me armët e lutjes e të faljes, me punën e ndershme dhe të bërë mirë, me kërkimin shkencor në shërbim të jetës, me veprat e mëshirshme të trupit e të shpirtit. Pajtuesit janë të shumtë, por nuk bëjnë zhurmë. Sikurse tharmi në brumë, bëjnë të rritet njerëzimi sipas planit të Hyjit.
“Njeriu është bërë për paqen”. Paqja është e mundur... është në duart tona”. Një vit i ri është si një udhëtim: me dritën dhe hirin e Hyjit, le të jetë një ecje paqeje për çdo njeri, për ato familje që vuajnë për shkak të vrasjeve, për Shkodrën, për Shqipërinë, për Tokën e Shenjtë dhe për të gjithë botën. Pra, t’i bashkojmë forcat tona, shpirtërore, morale dhe materiale që të gjithë të jemi njerëz pajtimi e paqeje.
Ky është urimi që u bëj me gjithë zemër të gjithëve, të rinj dhe të rritur: të gjithë protagonistë, ditë pas dite, për një vit më të mirë. Nga zemra ju falënderoj të gjithëve dhe uroj që viti 2013 të jetë vit më i mbarë për Shkodrën dhe për Veriun. Për shumë vjet! Faleminderit”!
Imzot Angelo Massafra
kryeipeshkëv
Shkodër, teatri Migjeni, 08.01.2013







All the contents on this site are copyrighted ©.