2013-01-08 12:52:21

Turqi: kultura fetare hyn në provimet e pranimit në universitet


Ndërsa në vendet perëndimore diskutohet për laicitetin e shtetit si dhe për rolin e fesë në hapësirat publike, ndokush ecën në një drejtim krejt të kundërt. Ndodh kjo këtë javë, në Turqi (që, të mos harrojmë, është në listë për hyrjen në Bashkimin Evropian), ku qeveria islamiko-konservatore e kryeministrit Rexhep Taip Erdoan, po i thellon me të gjitha mjetet përpjekjet për të shumëfishuar praninë e peshën e fesë islamike në nivel shoqëror, në kundërshtim me çdo parim të laicitetit, e posaçërisht me serinë e garancive të dëshiruara nga themeluesi i shtetit modern turk, Qemal Ataturk.
Të gjitha universitetet e vendit ndërmjet Evropës e Lindjes së Mesme do të përfshijnë në provimet e pranimit për vitin e ardhshëm akademik, pyetje për kulturën fetare, për ligjet islamike, fe e shumicës së banorëve. Por jo të gjithë janë dakord për këtë, ndonëse mësimi i detyrueshëm i besimit ka hyrë tashmë në të gjitha shkollat e Turqisë. Gjithsesi nuk kishte ndodhur kurrë që feja të hynte edhe në studimet universitare, duke përjashtuar këtu, natyrisht, fakultetin e teologjisë.
Kështu në provimet e para të pranimit (YGS) në program për 24 mars, hartuar nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, studentët do të gjejnë 5 pyetje për kulturën fetare, që do të bëhen tetë, më 15 qershor.
Erdoan, i formuar dhe i diplomuar pranë institucioneve fetare, në fuqi prej 11 vjetësh, sulmohet nga kritika të ashpra nga ana e opozitës, sepse po përpiqet ta islamizojë mbarë shoqërinë turke, edhe duke marrë masa të diskutueshme, si kufizimi i shitjes së pijeve alkoolike në shumë restorante dhe dyqane nga më të mëdhatë në vend.
Një masë tjetër, shumë e kundërshtuar, është liberalizimi i hyrjes në çdo fakultet universitar i të diplomuarve në institucionet fetare, që deri tani kishin të drejtë të ndiqnin vetëm studimet teologjike.







All the contents on this site are copyrighted ©.