2013-01-08 14:54:49

Shkodër: tragjedia e 9 janarit 2004, familjarët kërkojnë drejtësi


Nesër mbushen nëntë vite nga ngjarja e 9 janarit 2004, ku gjatë tentativës për të mbërritur në shtetin italian përmes lundrimit me gomone, humben jetën 27 persona, pjesa më e madhe banorë të rrethit Shkodër dhe shoqata "9 janari 2004" vazhdon t'i kërkojë strukturave përkatëse ndëshkimin e përgjegjësve. Përmes një konference për shtyp të dhënë përpara godinës së Prefekturës së Shkodrës, pjesëtarë të kësaj shoqate, anëtarë të familjeve që humbën njerëzit e tyre më të afërt, ripërsëriten kërkesat e tyre, duke bërë thirrje publike për ndëshkimin e fajtoreve.
"Ne, familjarët e viktimave të ngjarjes tragjike të 9 janarit 2004 edhe pas 9 vitesh që kanë kaluar nga kjo ditë e zezë, ndjehemi më të trishtuar, por edhe më të fyer e të poshtëruar se kurrë. Kjo, jo thjesht sepse në këtë ngjarje humbëm njerëzit tonë të shtrenjtë, por dhe për faktin tjetër të pakundërshtueshëm se personat që shkaktuan këtë tragjedi, pjesëtarë të strukturave të shtetit, edhe pse pikërisht të identifikuar, nuk u vunë para ligjit", u shpreh kreu i kësaj shoqate, Nikollë Mëhillaj.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.