2013-01-08 11:16:55

Papa dhe fjalimi i tij para Trupit Diplomatik të akredituar në Vatikan. Historiani Xhovanjoli: diplomacia e Selisë së Shenjtë është në shërbim të njeriut


Dje, Papa Benedikti XVI shkëmbeu urimet e Krishtlindjes e të Vitit të Ri me ambasadorët e Trupit Diplomatik të akredituar në Vatikan. Paqja nuk është utopi, u tha atyre Ati i Shenjtë, para se të flitet për “diferencialin bankar” të mendohet për të varfërit, që vuajnë pasojat e krizës ekonomike. Aktualisht, Selia e Shenjtë ka marrëdhënie diplomatike me 179 shtete dhe është e pranishme si Vëzhguese në shumë organizata ndërkombëtare, duke filluar nga OKB-ja. Diplomacia e Vatikanit, e përfaqësuar në çdo vend nga nuncët apostolikë, lëviz shpesh në heshtje, pa zhurmë e bujë, por punon pa pushim në të mirë të paqes e të njeriut. Të dëgjojmë komentin e historianit italian Agostino Xhovanjoli, pedagog në Universitetin Katolik të Milanos.
Sigurisht, ky numër i madh shtetesh, që dëshirojnë të kenë marrëdhënie me shtetin më të vogël të botës, thotë shumë për prestigjin moral, që gëzon Selia e Shenjtë e natyrisht, edhe Papa, në veçanti. Është histori e gjatë, filluar në kohët moderne, kur figura e Papës është përvijuar gjithnjë e më shpesh si figura e “atit të përbashkët”: i përbashkët, sepse interesohet për fatin e të gjithë popujve e jo vetëm për disa, në dëm të të tjerëve. E pikërisht rreth kësaj figure të atit të përbashkët nisi të zhvillohej ajo diplomaci e Selisë së Shenjtë, e cila, që nga zanafilla – e kjo është interesante – ka qenë diplomaci e paqes. Pra, Papa ndërhynte në konfliktet ndërmjet shteteve, duke u përpjekur të favorizonte paqen. Ky rol u zgjerua, kur Papa humbi pushtetin kohor e ky qe avantazh i madh, sepse paradoksalisht, humbja e këtij pushteti e rriti jashtëzakonisht prestigjin moral të Atit të Shenjtë. Diplomacia e Vatikanit është krejt e veçantë, pasi nuk vepron në mbrojtje të interesave politike dhe ekonomike të një shteti, por në interes të mbarë botës. Ky është origjinaliteti i saj.
Shtetet janë të interesuara të lidhin marrëdhënie diplomatike, edhe pse janë të vetëdijshëm për punën e Kishës në favor të popullsisë…
Përfaqësitë diplomatike të Selisë së Shenjtë janë edhe prani, që përkrahin realitetin e Kishës Katolike në vende të ndryshme. Funksioni i tyre është mjaft i madh. Shtrihet në fusha si shëndetësia, nismat shoqërore, nismat për paqen. Kjo, në përkim me bindjen se ekziston një lidhje shumë e fuqishme ndërmjet Kishës Katolike universale dhe asaj, që Magjisteri i Papëve të ‘900-ës e ka quajtur “familje njerëzore”, duke nënkuptuar impenjimin e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë në mbështetje të familjes njerëzore në të gjitha fushat. Kjo ndjehet fare mirë nga popujt, të cilët e vlerësojnë shumë diplomacinë vatikanase.
Shihet sidomos në organizatat ndërkombëtare… Shteti i Vatikanit nuk ka ushtri, nuk është supërfuqi ekonomike, por arrin të japë një kontribut të madh, aty ku kërkohet “konsensusi ndërkombëtar”, pavarësisht se i vogël…
Cilësimi i Vatikanit si vëzhgues, fillimisht dukej sikur ia ulte rëndësinë. Në të vërtetë, sot, ky cilësim ka avantazhe, sepse i lejon Selisë së Shenjtë të ndërhyjë në çështje të rëndësishme, pa marrë përsipër përgjegjësi, që nuk i takojnë, si për shembull, ndërhyrjet ushtarake apo të tjera, të ngjashme me to. Këtu shihet edhe më shumë roli i diplomacisë vatikanase në favor të paqes.
Selia e Shenjtë ka marrëdhënie diplomatike me 179 vende, ndër të cilat mungon akoma Republika Popullore Kineze. Në mesazhin “Urbi et Orbi” të Krishtlindjes, siç nuk kishte bërë kurrë më parë, Benedikti XVI u foli drejtpërdrejt udhëheqësve kinezë…
Kemi të bëjmë me një risi shumë interesante. Në përgjithësi, Papët e dhjetëvjeçarëve të fundit, u janë drejtuar katolikëve kinezë dhe popullit kinez me mesazhe, por jo edhe drejtuesve e autoriteteve të Republikës Popullore Kineze, aq më tepër, në një mesazh kaq të rëndësishëm, siç është ai “Urbi et Orbi” i Krishtlindjes. E nuk është fakt i izoluar. Para disa muajsh, kardinal Filoni shkroi një artikull mbi mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve të drejtpërdrejta ndërmjet Selisë së Shenjtë e qeverisë kineze. Kemi të bëjmë me një “ofensivë diplomatike” të Selisë së Shenjtë e të vetë Papës – natyrisht në kuptimin e mirë të fjalës – për të krijuar marrëdhënie respekti e bashkëpunimi të ndërsjelltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.