Më 8 janarkalendari kishtar përkujton Shën Severinin, abat, pajtor
kryesor i Austrisë dhe i Bavarisë, zonë që në antikitet quhej Norik. Me veprat e tija
bamirëse, ndërmjetësitë e tija si qytetar romak pranë fiseve barbare gjermane që merrnin
peng të huajt, Shën Severini na kujton se sa e rëndësishme është ta duash të afërmin
në çaste të vështira. Banorët e Norikut përqafuan fenë e Krishtit falë pikërisht veprave
dhe dhuntive të këtij shenjti. Në shekullin V, pas sulmeve të pandërprera të pushtuesve
vizigotë, ostrogotë, vandalë, svevë, burgundë, frankë perandoria romake e Perëndimit
u shemb. Ndërsa mbretëronte atmosfera e shkatërrimit të përgjithshëm, Kisha katolike
mbetej e vetmja pikë referimi për mbijetesën e njerëzve të tmerruar. Në këto rrethana
historike kreu misionin e tij Shën Severini, Apostull i Norikut. I lindur në gjirin
e një familjeje fisnike romake rreth vitit 410, pasi jetoi në Lindje, rreth vitit
454 u vendos pranë Danubit, në kufirin ndërmjet Norikut e Panonisë, ku ngriti shumë
kuvende për të strehuar popullsitë e kërcënuara nga sulmet barbare si dhe për të vijuar
rrezatimin e mësimeve të Ungjillit në gjirin e popullsive të reja. Nisi kështu
jetën kundruese, eremitike dhe misionare duke hyrë në lidhje të drejtpëdrejtë me popullsitë
barbare, në përpjekjen për t’u ndriçuar mendjet e për të përtrirë shoqërinë romake
në rënie, permes shkrirjes së forcave të vjetra me ato të reja. Me guxim të pashoq,
që çuditi deri luftëtarët më të vrazhdë, arriti në Komagjene, që ishte ndër duart
e armiqëve. E me bamirësinë, dashurinë dhe kujdesin e tij të jashtzakonshëm për
nevojtarët, arriti të fitonte përfundimisht zemrat e thjeshta të barbarëve, duke filluar
nga krerët e tyre, të cilët nisën ta dëgjonin plot respekt çdo fjalë të Shenjtit e
të këshilloheshin me të para çdo ngjarjeje të madhe, si të ishte lajmëtar qiellor.
E nuk munguan edhe shenjat që vinin nga qielli, për të vërtetuar parafoljet e tij.
I nderuar dhe i dashur si nga njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe nga mbretërit e
nga luftëtarët, ai jetoi varfërisht, pa kërkuar kurrë përfitime materiale. Vishej
njëlloj verë-dimër, flinte pak orë i shtrirë përdhe, me ijet e ngjeshura në grathore;
në kohën e Kreshmëve hante vetëm një herë në javë. Vdiq më 8 janar të viti 482. Reliket
e tij nderohen në Fratamagjore, pranë Napolit. E tillë ishte karizma e tij sa që
të fuqishmit e të pushtetshmit e kohës i kërkonin këshilla. E kuptoi se shoqëria romake
në rënie do të kishte përfituar nga një limfë e re atëherë kur do të ishte ungjillëzuar;
në këtë kuptim e drejtim shën Severini është shembull, ende sot, i mendjes së hapur
dhe i largpamësisë.