2013-01-08 12:52:08

Imzot Massafra paraqet Mesazhin papnor të Paqes 2013


Kryeipeshkvia metropolite Shkodër-Pult paraqet sot pas dite në ora 18.00 në teatrin “Migjeni” në Shkodër, Mesazhin e Papës Benediktit XVI për Ditën e 46-të Botërore të Paqes, kremtuar më 1 janar 2013. Me nismën e kryeipeshkvit imzot Angelo Massafra, mesazhi papnor për Ditën Botërore të Paqes 2013 me temë: “Lum veprimtarët e paqes” është paraqitur, përkthyer e shpërndarë qytetarëve shkodranë, me qëllim që porosia e Atit të Shenjtë të jetë një nxitje e mëtejshme për mishërimin e vlerës së paqes e të pajtimit në zemra e në jetë të besimtarëve e të të gjithë qytetarëve, për të mirën e përbashkët.
Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes 2013, është një përmbledhje e shkurtër e Doktrinës shoqërore të Kishës. I ngjet një doracaku të vogël, në ndihmë të katolikëve, që impenjohen në fushën shoqërore e politike, por edhe të gjithë qytetarëve që e kanë përzemër paqen e vlerat e patjetërsueshme njerëzore. Papa Jozef Ratcinger propozon programin e Lumnive Ungjillore, për t’i bërë ballë së keqes, që vijon ta tronditë rëndë njerëzimin mbarë. Kujton konfliktet e përgjakshme në vijim, pabarazitë ndërmjet të pasurve e të varfërve si dhe nga sundimin e një mendësie egoiste dhe individualiste, që gjen kushte të favorshme në një kapitalizëm të çrregullt financiar.
Pastaj, përveç terrorizmit e kriminalitetit ndërkombëtar, Benedikti XVI kujton se paqja rrezikohet edhe nga fundamentalizmat e fanatizmat, që e shtrembërojnë natyrën e vërtetë të fesë në Zotin. Pa harruar një dramë tjetër, edhe më të hidhur: dramën e urisë. Kriza ushqimore, është edhe më e rëndë se ajo financiare, pohon me forcë Papa, që nuk i harron as shkeljet, në rritje, të lirisë fetare. E kujton se vijon të shkelet e drejta për të jetuar, se sulmohet familja e sot, gjithnjë më shumë, edhe të drejtat shoqërore.
Një mision i veçantë në dobi të paqes, thekson akoma Papa, u takon institucioneve kulturore, shkollore e universitare. Prej tyre kërkohet një kontribut i ndjeshëm jo vetëm për edukimin edhe formimin e breznive të reja të liderëve, por edhe për risimin e institucioneve publike, kombëtare e ndërkombëtare.
Papa bën thirrje të kultivohet pasioni për të mirën e përbashkët të familjes e të drejtësisë shoqërore si dhe impenjimi për edukimin e vlefshëm shoqëror. Është e nevojshme të nxiten e të përhapen mendime, fjalë e gjeste paqeje, që të krijojnë mendësinë dhe kulturën e paqes, atmosferën e respektit, të ndershmërisë e të përzemërsisë. Duhen mësuar njerëzit ta duan njëri-tjetrin e të edukohen me dashurinë për paqen, për një jetë të bazuar mbi dashamirësinë, e jo vetëm mbi tolerancën. Kisha, përfundon Papa, është e bindur për urgjencën e kumtimit të ri të Jezu Krishtit, faktor i parë e kryesor i zhvillimit të gjithanshëm të popujve e edhe i sigurimit të paqes. Veprimtar i paqes, sipas lumnisë së Jezusit, është ai, që kërkon të mirën e tjetrit, të mirën e plotë, të shpirtit e të korpit, sot e nesër.
Përballë kësaj situate, Papa fton të jetohen Lumnitë ungjillore, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi të vërtetën, mbi lirinë, mbi dashurinë e mbi drejtësinë. Me pak fjalë, me rastin e Ditës Botërore të Paqes, Benedikti XVI uroi një model të ri ekonomik dhe fundin e diktaturës së relativizmit. Po të dëgjojmë kryeipeshkvin e Shkodër-Pultit imzot Angelo Massafrën në mikrofonin e Radio Vatikanit........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.