2013-01-08 11:29:01

Imzot Ernest Çoba në përvjetorin e vdekjes


Më 8 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së ipeshkvit shqiptar shkodran imzot Ernest Çobës. Pra si sot, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës duke dëshmuar me qëndresë të pashoq Krishtin ndër tortura mizore shkaktuar nga regjimi komunist, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës kishtare që i qe besuar.
Ipeshkvi shembullor, imzot Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor të qytetit. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit.
Pas vdekjes së Imzot Thaçit dhe arrestimit të Dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën katolike në Shqipëri, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. Në atë kohë, i vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, Imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi atë, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, Imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952.
Imzot Ernest Çoba merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë edhe më të theksuar veprimtarinë e tyre si ungjillëzues e dëshmitarë të Mësuesit Hyjnor e të Ungjillit të Tij, duke e vulosur misionin e tyre shpirtëror me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Kishës së të tij mbi tokë, me në krye Papën e Romës.
Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzotë Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën dhe Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, që mbijetoi nga persekutimi komunist, Imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë": " Imzot Coba kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve.
Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë.
Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyre, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së Kishave e tempujve nga regjimit komunist e ateist në Shqipëri, në një të diel të hidhur, derisa ishte thirrur që të akuzohej nga regjimi diktatorial, u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të fortë e bindës në mbrojtje të fesë në Zotin e sulmuar, e të Kishave në prag të rrënimit të madh.
Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave do të mbylleshin nga komunizmi. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë të Vatikanit me anën e legatës italiane.
Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Zef Simoni.
Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, e sigurisht që do të shërbenin shumë dëshmitë mbi qëndrimin ungjillor, heroik dhe fundin e jetës së tij, që e flijoi për Fe e Atdhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.