2013-01-07 10:52:37

Papa kremtoi meshën dhe Engjëllin e Tënzot në festën e Dëftimit të Zotit. Shuguroi katër ipeshkvij të rinj e përshëndeti kortezhin tradicional “Rroftë Befana”


Këtë të diele, në festën e Dëftimit të Zotit, Papa Benedikti XVI kremtoi Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë së cilës shuguroi katër ipeshkvij të rinj. Ata janë: sekretari i Kongregatës për Edukimin Katolik, imzot Vinçenco Xani; i sapoemëruari nunc apostolik, imzot Fortunatus Nuaçuku; sekretari personal i Atit të Shenjtë dhe Prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Georg Genshvajn dhe; nunci apostolik, imzot Nikolas Tevenin. Së bashku me Papën, i shtrinë duart mbi ipeshkvijtë e rinj në gjestin e shugurimit, edhe kardinali-sekretar i Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone dhe kardinali Zenon Groçolevski. Paraqitja e kandidatëve u bë nga Prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Mark Uilet.
Më pas, Papa tha edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, si zakonisht në mesditë, nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Duke folur për festën e sotme, Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Benedikti XVI përshëndeti edhe kortezhin tradicional folklorik “Rroftë Befana”, i cili niset çdo vit nga Kështjella e Shën Engjëllit për të përfunduar në Vatikan. Kësaj radhe, qyteti protagonist ishte Areco i Italisë. Përmes veshjeve folklorike, por edhe përmes skenave që të kujtojnë historinë e objekteve, të enëve të kuzhinës, të mjeteve të punës, tradita që përçohen akoma brez pas brezi, kortezhi synon të ruajë e t’u kalojë brezave të rinj vlerat e festës së Dëftimit të Zotit.
Paqja, solidariteti dhe vëllazërimi ndërmjet popujve qenë temat e kortezhit, në edicionin e tij të 28-të, për të ripohuar universalitetin e lindjes së Jezusit, sepse pas Mbretërve Dijetarë, Krishti ndiqet nga popullsi gjithnjë e më të ndryshme. Qindra pjesëmarrës, grupe rievokimi të historisë, banda muzikore, kuaj, skenografi e fantazi, realizojnë një skenar sugjestiv, që çdo vit i tërheq spektatorët në një ritual të gëzueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.