2013-01-07 11:59:41

Krishtlindja me Papën: “Udhë për t’u takuar me Jezusin”.


Kemi arritur tek Epilogu i veprës, shkruar nga Benedikti XVI, që plotëson trilogjinë kushtuar Jezusit të Nazaretit. Përshkrimi i pranisë së Jezusit në Tempull është, në një farë mënyre, kurorëzim i gjithë veprës, e edhe i rubrikës sonë “Krishtlindje me Papën”.
Rrëfimi i Lukës për rritjen e Jezusit, jo vetëm në moshë, por edhe në dije, pohon Papa, ka shumë rëndësi. E vërejmë në episodin e takimit të Jezusit me prindërit e tij në Tempullin e Jeruzalemit. “Bir, ç’na bëre kështu? – e pyet e ëma. – Ja, yt atë e unë, të shqetësuar, po të kërkonim”.
Jezusi përgjigjet: “Nuk e dinit se unë duhet të merrem me punët e Atit tim?”.
Nga njëra anë, në përgjigjen e dymbëdhjetëvjeçarit bëhet e qartë se Ai e njeh Atin-Hyj në vetvete. Nuk e njeh thjesht përmes njerëzve, që e dëshmojnë, por drejtpërdrejt. Si Bir, ai rri sy më sy me Atin, jeton në praninë e Tij. E shikon. Gjoni e përshkruan si i vetmi, që është në gjirin e Atit, e prandaj edhe mund të na e zbulojë (Gjn 1,18). Prej këndej, përgjigjja e dymbëdhjetëvjeçarit është e qartë: “Ai është pranë Atit, i shikon njerëzit dhe botën në dritën e Tij”.
Gjithsesi është e vërtetë edhe se dija e tij rritet. Si njeri, Ai nuk jeton në gjithëdije abstrakte, nuk e njeh gjithçka ka ndodhur në të kaluarën, ndodh në të sotmen e do të ndodhë në të ardhmen. E kjo, sepse jeton në truallin e një historie konkrete, në një vend e në një kohë të caktuar, në fazat e ndryshme të jetës njerëzore e, prandaj, merr një formë konkrete të dijes. Në librin e Papës e shikojmë qartë se Jezusi mendoi e mësoi në mënyrë krejt njerëzore.
E shikojmë qartë edhe se Ai është njeri i vërtetë e Zot i vërtetë, siç shprehet feja e Kishës. Megjithatë, Papa pohon se nuk jemi në gjendje ta përcaktojmë gërshetimin e këtyre dy përmasave. Mbetet mister, ndonëse duket shumë konkretisht në rrëfimin e shkurtër kushtuar dymbëdhjetëvjeçarit, rrëfim, i cili na hap portën drejt njohjes së plotë të figurës së Tij, që pastaj tregohet me hollësi nga Ungjijtë.
E pikërisht një analizë tejet të vëmendshme të të dhënave të veçanta, rrëfyer nga Shën Luka, e gjejmë tek libri i Papës. Autori hyn në misterin më të thellë të Jezusit, në atë të bijësisë së Tij hyjnore, në detyrën “për t’u marrë me punët e Atit”. Jemi para një misteri, përballë të cilit edhe feja e Marisë është fe në kalim; fe, që shpesh përshkohet nëpër errësirë e që duhet ta fitojë pjekurinë duke e davaritur, në kalim, terrin e dendur, që e rrethon (fq 144).
Nga faqet e veprës kushtuar “Fëmijërisë së Jezusit”, Benedikti XVI i fton të krishterët ta meditojnë thellë fenë e tyre, pa harruar t’u kujtojë se fjalët e Jezusit janë shumë më të thella se arsyeja njerëzore; ia kalojnë shumë herë inteligjencës sonë. Tundimi për t’i reduktuar, për t’i manipuluar, që të mund të maten me masën e mendimit tonë, është i kuptueshëm. Por pa harruar se të besosh, do të thotë t’i nënshtrohesh kësaj madhështie e të rritesh, në sa ecën hap pas hapi drejt saj. Ndryshe nuk mund të arrihet në takimin personal me Jezusin, njeri i vërtetë e Zot i vërtetë.
Prandaj e shfletuam veprën e re të Papës: jo për të ritreguar ngjarjet, që i njohim kahmot, as për të hapur një faqe të re historie, bazuar mbi të dhënat e fundit për fëmijërinë e Jezusit. E shfletuam, sepse na njeh me figurën historike të Zotit, na çliron nga devocioni i rremë, na bind për natyrën e Tij si njeri i vërtetë e Zot i vërtetë, na prin në një fazë të re të marrëdhënieve me Hyjin, na mëson të vlerësojmë lirinë e Birit të Hyjit. Duke na kujtuar edhe se kjo liri nuk është liri e liberalit, nuk është pa cak. Ta shikosh lirinë me sytë e Jezusit, do të thotë të bëhesh një me vullnetin e Atit, të rritesh në moshë, në dije e në hir, para syve të Zotit e të të afërmit.
Me këtë vetëdije, njeriu rri mes jetës e vdekjes, po lëvizja e tij tashmë e ka një Dritë. Mishërimi i Jezusit i hap para portën e premtuar kahmot, të dëshiruar nga njerëzmi në shekuj: amshimin!








All the contents on this site are copyrighted ©.