2013-01-07 15:19:29

Dëftimi i Zotit. Papa ipeshkvijve të rinj: të jeni guximtarë e të butë përballë dogmave intolerante të agnosticizmit.


Solemniteti i Dëftimit të Zotit është festë e mirësisë së Hyjit dhe e dashurisë së Tij për njerëzit. Këtë pohoi Papa në Meshën e djeshme, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Gjatë ritit, shuguroi katër ipeshkvij të rinj: imzot Georg Gänswein, sekretar i posaçëm i Benediktit XVI dhe prefekt i Shtëpisë Papnore; imzot Vincenzo Zani, sekretar i Kongregatës për Edukimin Katolik dhe nuncët apostolikë imzot Fortunatus Nwachukwu e imzot Nicolas Thevenin.
Në homeli, Papa i ftoi ipeshkvijtë t’u ngjasim Mbretërve Dijetarë, njerëz gjithnjë në kërkim të shqetësuar të Hyjit e të shpëtimit të botës, që nuk kënaqeshin me të ardhurat e sigurta e as me pozitën shoqërore, ndoshta shumë të rëndësishme. Ata kërkonin diçka më të madhe, donin të dinin a ekziston me të vërtetë Zoti, a kujdeset për ne e si mund ta takojmë. Ishin kërkues të Zotit. Kështu edhe ipeshkvi, nuk duhet të jetë kurrë thjesht njeri, që ushtron një mjeshtri:
Duhet të jetë, sidomos, njeri që interesohet kryesisht për Zotin, sepse vetëm atëherë mund të interesohet vërtet edhe për njerëzit. Mund ta themi këtë edhe anasjelltas: ipeshkvi duhet të jetë njeri, që i ka shumë për zemër njerëzit, që preket nga të papriturat e tyre. Duhet të jetë njeri për të tjerët. Por mund të jetë vërtet kështu, vetëm në se është i pushtuar nga Hyji. Në se për të, shqetësimi që e shtyn drejt Zotit, bëhet shqetësim për krijesën e Tij, njeriun”.
Ky shqetësim, pohoi Papa, nuk duhet ta lërë kurrë të qetë ipeshkvin, që është i thirrur të ketë guximin e përvuajtërinë e fesë: si Mbretërit Dijetarë të cilët, ndoshta edhe të tallur për shtegtimin drejt së panjohurës, të udhëhequr nga ylli, shumëkujt mund t’i jenë dukur qesharakë. Po ata ishin të prekur në shpirt nga Hyji, të gatshëm për ta pranuar edhe talljen e botës, në dukje inteligjente. Kështu edhe ipeshkvijve sot, do t’u duhet të ndeshen paprerë me inteligjencën sunduese të atyre, që ndjekin çka në dukje është e sigurtë:
Agnosticizmi, sot gjerësisht sundues, ka dogmat e veta e nuk u lëshon rrugë atyre, që e vënë në diskutim atë e kriteret e tij. Prandaj guximi për t’iu kundërvënë orientimeve sunduese, sot për ipeshkvin është vërtet urgjent”.
Ipeshkvi, shtoi Papa, duhet të jetë sypatrembur:
“E kjo vlerë a forcë nuk qëndron në goditjet me dhunë, në agresivitetin, por në në aftësinë për t’i pranuar goditjet, duke u bërë ballë kritereve e opinioneve sunduese. Guximi për ta mbrojtur vendosmërisht të vërtetën u kërkohet në mënyrë të pashmangshme atyre, të cilët Zoti i nis si qengja në mes të ujqve. Por ‘kush e druan Zotin, nuk ka frikë nga asgjë’, na kujton Siraçidi (34-16). Frika nga Zoti të çliron plotësisht prej frikës nga njerëzit. Të bën të lirë”.
Siç u ndodhi Apostujve, vijoi Papa, edhe ipeshkvijtë, pasardhësit e tyre, duhet ta presin drurin në se, në mënyrë moderne, nuk pushojnë s’e kumtuari kuptueshëm Ungjillin e Krishtit, të ndjekur nga një mori dëgjuesish. Natyrisht, sqaroi Benedikti XVI, ipeshkvijtë nuk janë të thirrur të provokojnë, përkundrazi. Ata duhet t’i ftojnë të gjithë për të hyrë në gëzim e në vërtetësi, duke ua treguar udhën si “yje, që vezullojnë në qiellin e historisë”:
Miratimi nga ana e opinioneve sunduese nuk duhet të jetë kurrë kriteri, të cilit duhet t’i nënshtrohemi. Kriteri është Ai vetë: Zoti. Në se e mbrojmë kauzën e tij, do të fitojmë, falë Zotit, gjithnjë më shumë njerëz për udhën e Ungjillit. Por pashmangshmërisht edhe do të mundohemi prej atyre, të cilët janë në kundërshtim me Ungjillin, e atëherë mund të jemi mirënjohës, që u gjykuam të denjë të marrim pjesë në mundimet e Krishtit”.

Në përfundim të Meshës, Benedikti XVI kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios së tij private. Takimi i zakonshëm i së dielës, nisi me 15 minuta vonesë, e Papa Ratcinger u kërkoi ndjesë për këtë shtegtarëve të panumërt, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë të shkëlqyer dimërore, nën rrezet e buta të diellit, që vezullonin mbi stolitë e Shpellës së Betlehemit e të Bredhit madhështor, sivjet, ardhur nga viset e Molises e të Bazilikatës, këtu, ku rreh zemra e krishterimit.

Papa u bëri urimet më të përzemërta për paqe e begati, shoqëruar me një kujtim të posaçëm në lutje, Kishave të shumta Lindore që, sipas kalendarit Julian, e kremtuan sot Solemnitetin e Krishtlindjes, ndërsa të tjerat kremtonin Dëftimin e Zotit:
Ky ndryshim i vogël, i cili i puthit këto dy çaste, vë në dukje se ky Fëmijë, i lindur në përvuajtërinë e Shpellës së Betlehemit, është drita e botës, që u prin mbarë popujve në udhën e tyre”.
Është dritë, që e shikojnë të përvuajturit:
E drita e Krishtit është aq e kthjelltë dhe e fortë, sa ta bëjë të kuptueshme si gjuhën e kozmosit, ashtu edhe atë të Shkrimit Shenjt. Kështu të gjithë ata që, si Mbretërit Dijetarë, janë në kërkim të së vërtetës, do të mund ta njohin e do të arrijnë ta kundrojnë Shëlbuesin e botës”.
Në përfundim Papa i përshëndeti në shumë gjuhë besimtarët, që i shoqëruan ipeshkvijtë e rinj si dhe shoqatën e Familjeve të Lira të Bashkuara të Evropës, që organizoi procesionin historiko-folklorik “Rroftë Befana”, frymëzuar sivjet nga traditat e Arecos dhe trojeve të kësaj zone.







All the contents on this site are copyrighted ©.