2013-01-05 13:55:15

Papa dhe kritika e tij kundër “kapitalizmit financiar pa rregulla”


Në Ditën Botërore të Paqes, më 1 janar të këtij viti, që sapo ka filluar, Papa foli për tensionet në botë, për terrorizmin, kriminalitetin e padrejtësitë shoqërore. Në mesazhin e tij, Benedikti XVI denoncon “kapitalizmin financiar pa rregulla”, si një nga shkaktarët e krizës ekonomike, në të cilën është zhytur njerëzimi. Për një analizë të këtyre fjalëve në planin ekonomik, iu drejtuam ekonomistit italian Alberto Kuadrio Kurcio:
Pohimi i Benediktit XVI është plotësisht i kuptueshëm dhe përkon me qëndrimet e mëparshme të Atit të Shenjtë, i cili vë në dukje rrezikun shumë të madh, që i vjen shoqërisë, institucioneve dhe ekonomisë, nga besimi i verbër në tregun gjithnjë e më të “financiarizuar” e me më pak rregulla. Dy aspekte, që kohët e shkuara, duke filluar nga vitet ’90, konsideroheshin si zgjidhje për çdo problem, sikur mirëqënia të vinte vetëm nga liberizmi e jo edhe nga solidariteti e susidiariteti, të cilat janë dy vlerat e mëdha të organizimit të bashkësive njerëzore, edhe në fushën ekonomike.
Pasojat e këtij kapitalizmi pa rregulla i kemi përditë para syve. Gjendja e masave është e vështirë, janë ato që po paguajnë krizën… Gjithsesi, situata na lejon të shohim ku mungojnë normat, apo jo?
Ekonomia përbëhet nga dy degë të mëdha, përveç më të madhes nga të gjitha, që është njeriu, i cili përmes punës, realizon vetveten dhe vepra krijuese në kontekstin e bashkësisë ku jeton. Njëra prej këtyre degëve është ekonomia reale, e cila shprehet përmes artizanatit, industrisë, bujqësisë dhe një pjese të rëndësishme të shërbimeve. Dega tjetër është ekonomia bankare dhe financiare. Në situatën më të mirë të mundshme, ekonomia bankare dhe financiare plotëson ekonominë reale: nuk është diçka e pavarur, përmes së cilës të realizohen fitime të shpejta me operacione thjesht financiare. Kur këputet lidhja ndërmjet ekonomisë reale dhe ekonomisë financiaro-bankare shfaqen fenomenet negative, që kemi parë gjatë këtyre vjetëve, ndër më të këqiat që kemi jetuar.
Papa flet edhe për “vatra tensioni e kundërshtish, shkaktuar nga pabarazitë në rritje ndërmjet të varfërve e të pasurve”. Është thirrje e zjarrtë…
Është thirrje e zjarrtë. Na bën të shohim larg e na kërkon të reflektojmë mbi atë zhvillim, që kujdeset për njeriun, për njerëzit e për bashkësitë. Zhvillimi duhet të jetë gradual, duhet të jetë i vazhdueshëm, duhet të ketë masë e të përhapet ndër të gjithë njerëzit. Zhvillimi duhet të shkojë paralel me format e barazisë: që nuk do të thotë barazi e tipit komunist, por do të thotë barazi ku ndryshimet të jenë të arsyeshme, do të thotë dëshirë për të ecur përpara, për të ndërtuar diçka, për ta çuar deri në fund, por sigurisht, nuk do të thotë polarizim i pasurisë e pastaj, fatkeqësisht, varfëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.