2013-01-05 13:54:33

Festa e Dëftimit të Zotit është për ata që e kërkojnë Zotin në jetën e përditshme


Me 6 janar Kisha kremton festën e Dëftimit të Zotit, festë që ndër shqiptarë njihet si festa e ‘Ujit të Bekuar’. Me këtë kremtim Kisha përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre.
Melkiori, Baltasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjës Hyjnore. Në Jerusalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua: pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit e skribët e dinë vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga pallatet për ta verifikuar profecinë.
Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të saj. Kërkonin përgjigje për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin. Festa e Dëftimit të Zotit është për të gjithë ju që kërkoni Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë të tjera, në dukje jo aq të rëndësishme, festa e Dëftimit të Zotit është festa juaj, është festa jonë. Është festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë e jetës së përditshme i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive e mendimet e ndryshime. Mbretërit Dijetarë njohin në të Foshnjën e sapolindur e të brishtë Zotin e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që ishte në jetën e Jezu Krishtit.
Mbeten në hije pallatet e pushtetit në Jerusalem, ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit Dijetarë, dhe sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm hyjnor: “drita erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse veprat e tyre janë të këqija.
Mbretërit Dijetarë janë paria e popujve, të thirrur edhe ata që të bëjnë pjesë në Kishë, janë populli i ri i Zotit, bazuar tashmë vetëm te besimi i përbashkët në Jezusin, Bir i Zotit.
Në festën e Dëftimit të Zotit edhe njëherë ripohohet rëndësia e të “Dëftuarit të Zotit” Mbretërve Dijetarë, shenjë e kthimit të popujve paganë në besimin e vërtetë në një Zot të vetëm:
Dëftimi i Krishtit është prandaj në të njëjtën kohë edhe dëftim i Kishës, pra i të shfaqurit e thirrjes dhe të misionit të saj të universal: dëshmimin e Dashurisë së Krishtit ndaj çdo njeriu e çdo populli.







All the contents on this site are copyrighted ©.