2013-01-05 13:52:14

Atë Lombardi: Mbretërit Dijetarë dhe feja! Ta ndjekim shembullin e tyre.


Festës së Dëftimit të Zotit që kremtojmë këtë të diele, pra aktualitetit të Dijetarëve që kërkojnë kuptimin e plotë të jetës, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi ia kushton komentin e tij javor.
“Njerëz me një lloj shqetësimi të brendshëm; njerëz të frymëzuar nga dëshira për të shkuar përtej: filozofë, pra, miq me diturinë, të cilët përveç njohurive shkencore kërkojnë të kuptojnë gjithçka; që e ngrenë arsyen në potencialitetin e saj më të lartë; që pas Sokratit hulumtojnë për të vërtetën më të madhe, përtej fesë zyrtare; që pas Abrahamit, nisen kur Zoti i thërret.
Këto janë disa nga mënyrat me të cilat Papa – në librin e tij të fundit për fëmijërinë e Jezusit – përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes: “Ç’njerëz ishin Mbretërit Dijetarë?”. E vazhdon: janë ai njerëzim, që niset drejt Krishtit, përfaqësojnë etjen e brendshme të shpirtit njerëzor, lëvizjen e feve dhe të arsyes njerëzore kah Krishti.
Në këtë Vit të Fesë, Mbretërit Dijetarë mund e duhet të na shoqërojnë. Sepse feja nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Një fe e tillë nuk është fe. Feja është shpirti i shtegtimit dhe i kërkimit gjithnjë e më të ri, i cili – ashtu siç ndodhi për Mbretërit Dijetarë – nuk është jashtë gjithësisë, shkencave, traditave, Shkrimit Shenjt, punës së arsyes e të jetës, dialogut me kë takon udhës. Feja është rruga e shpresës mbi këtë tokën tonë, në situata shumë konkrete të këtij viti 2013, që po fillon. Mbretërit Dijetarë morën si çmim për kërkimin e tyre, një takim të befasishëm, burim gëzimi i jashtëzakonshëm. Pse të mos e shpresojmë edhe ne këtë?”







All the contents on this site are copyrighted ©.