2013-01-04 15:49:08

Papa për Vitin e Fesë: ta kumtojmë Jezusin me gëzim


Në Vitin e Fesë, të krishterët duhet “të thellohen në njohjen e misterit të Krishtit e ta dëshmojnë me gëzim dhuratën e besimit në Të”. Ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Papës për muajin janar. Gjatë kohëve të fundit, sidomos në audiencat e përgjithshme, Papa është ndalur shpesh në reflektime për Vitin e Fesë e për përgjegjësinë, që sjell për të krishterët.
Nisja për betejë, me disavantazh të qartë, nuk e lë të qetë as gjeneralin, as ushtarin më të fundëm. Me përjashtim të rastit kur mund të mbështetesh në ndihmën e një aleati jashtëzakonisht të fuqishëm. Viti i Fesë, i shpallur nga Papa rreth tre muaj më parë, për atë që beson, përmban në vetvete këtë sfidë: betejën në kushte gjithnjë e më të vështira – pra, me problemet e me frikën e të paktëve në numër – por edhe sigurinë se Ai, që lufton krah nesh, ka forcë të gjithpushtetshme. Jo më kot, në hapjen e Vitit të Fesë, Benedikti XVI i nxiti të krishterët të nisen drejt “shkretëtirave të botës bashkohore”, aty ku toka e fesë çahet edhe nga thatësira e zemrave të të pagëzuarve:“I krishteri sot, nuk njeh as vetë bërthamën e fesë së vet katolike, Besojmën, duke i lënë hapur udhën një farë sinkretizmi e relativizmi fetar, sepse nuk i ka të qarta të vërtetat, që duhen besuar e veçantitë shëlbuese të krishterimit… Ndërsa duhet të rikthehemi tek Zoti, tek Hyji i Jezu Krishtit, duhet ta rizbulojmë mesazhin e Ungjillit, të impenjohemi që të hyjë gjithnjë më thellë në ndërgjegjet tona e në jetën tonë të përditshme” (Audienca e përgjithshme, 17 tetor 2012).
Shpesh feja, thekson Papa, jetohet pasivisht, në sferën private, duke u shkëputur kështu nga jeta. E pra, për ta kumtuar si duhet mesazhin e Jezusit, s’ka qenë kurrë e nevojshme të hipësh në katedër, apo në ndonjë piedestal, nënvizon Ati i Shenjtë:
“Ungjillëzimi nuk është vepër e disa ekspertëve, por e gjithë Popullit të Zotit, nën udhëheqjen e barinjve. Çdo besimtar, në e me bashkësinë kishtare, duhet të ndjehet përgjegjës për kumtimin dhe dëshmimin e Ungjillit” (Fjala për Kongregatën e Ipeshkvijve, 20 shtator 2012).
Në ndjetin e lutjes për këtë muaj, Papa përdor një fjalë, që shpesh konsiderohet si “zbukurim” estetik për konceptin e ungjillëzimit. Benedikti XVI thotë se Krishti duhet dëshmuar me “gëzim” e ky nuk është term i çfarëdoshëm, por, siç e shpjegon vetë Ati i Shenjtë, përdoret për të vënë në dukje se bota ka nevojë për të krishterë “entuziastë në fenë e tyre”. E ky entuziazëm nuk është aspak naiv:
“Gëzimi i krishterë rrjedh nga kjo siguri: Zoti është afër, është me mua, është me ne, në gëzime e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje, si shok e si bashkëshort besnik. E ky gëzim mbetet edhe gjatë sprovës, gjatë vuajtjes, e mbetet jo në sipërfaqe, por thellë në shpirtin e njeriut, që ia beson vetveten Zotit” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 16 dhjetor 2007).
Pasi sqaron kontekstin e sfidës së të krishterëve në këtë Vit Feje e natyrën e besimit, që secili duhet të mbajë në zemër, Benedikti XVI numëron armët, me të cilat duhet përballuar kjo sfidë, pra, armët e betejës:“As shkop, as strajcë, as bukë, as para e as dy këmisha – siç u thotë Jezu Krishti Zot apostujve, kur i nis me mision (Lk 9,3) – por Ungjillin e fenë e Kishës, shprehje e ndritshme e të cilave janë dokumentet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit”(Hapja e Vitit të Fesë, 11 tetor 2012).







All the contents on this site are copyrighted ©.