2013-01-04 16:18:07

Mbretëria e Bashkuar: një grup rregulltaresh anglikane pranohen në Kishën katolike.


Një bashkësi motrash anglikane nisi, më 1 janar 2013, misionin pranë Ordinariatit personal të Zojës së Valsingamit. Gjatë Meshës, kremtuar në Oxford, njëmbëdhjetë rregulltare të Bashkësisë anglikane u pranuan në gjirin e Kishës katolike. Motrat, lexojmë në një komunikatë, botuar nga Ordinariati e rimarrë nga agjencia Sir, do të ngrenë një bashkësi të re e do të vijojnë të jetojnë sipas traditave të bashkësisë së zanafillës, por duke ndjekur zyrtarisht Rregullën e Shën Benediktit. Me këtë rast ndërruan veshjen e tyre të zakonshme, me zhgunin dhe velin e Urdhërit Benediktin e edhe emrin, duke u quajtur Motrat e Zojës së Bekuar, siç parashikohet nga Kushtetuta Apostolike Anglicanorum coetibus.
Kujtojmë se Kushtetuta Apostolike Anglicanorum coetibus, nënshkruar nga Benedikti XVI më 4 nëntor 2009, ka për qëllim t’u përgjigjet kërkesave të shumta, që vijojnë të arrijnë pranë Selisë së Shenjtë nga grupe klerikësh e besimtarësh anglikanë, të cilët dëshirojnë të hyjnë në bashkim të plotë e të dukshëm me Kishën Katolike, duke u krijuar kushtet të ruajnë disa nga elementet e veçanta të trashëgimisë shpirtërore e liturgjike anglikane.









All the contents on this site are copyrighted ©.