2013-01-04 15:49:56

Indonezi. Thirrje e kryeipeshkvit të Xhakartës për lirinë e kultit në vend.


“Të gjitha bashkësive fetare të Indonezisë duhet t’u sigurohen kushtet e ndërtimit të vendeve të tyre të kultit”. Për këtë bëri thirrje kryeipeshkvi i Xhakartës, imzot Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo, gjatë një kremtimi eukaristik. Prelati, shkruhet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, i nxiti autoritetet shtetërore të marrin masat e nevojshme për të garantuar respektimin e lirisë së kultit. Në këtë vend, me shumicë myslimane, ngritja e vendeve të kultit, kristiane ose të feve të tjera, arrihet pas procedurash tejet të ndërlikuara, të cilat nuk janë tjetër, veçse pretekst për ta penguar zhvillimin e bashkësisë. Bashkitë, shpesh nën ndikimin e fortë të grupeve ekstremiste myslimane, nuk i japin lejet e ndërtimit, ose i pengojnë a i anulojnë, menjëherë pasi të jenë marrë. Prelati indonezian kujton, si shembull, situatën në të cilën e jetojnë fenë e tyre besimtarët e bashkësive protestante të Bekasi-t e të Bogor-it, që e kremtuan Natën e Krishtlindjes nën qiellin e hapur, përballë pallatit presidencial të Xhakartës, në shenjë padie e proteste për situatën e tyre të vështirë, në një vend ku praktikat për të marrë një leje, janë toturuese, ndërsa ndërtimi i vendeve të kultit, për shkak të një mori pengesash administrative, zgjat me vite. Një nga këto pengesa është kërkesa, sipas së cilës çdo bashkësi, për të ndërtuar një kishë ose një tempull, duhet të ketë së paku nëntëdhjetë besimtarë si dhe të miratohet së paku nga shtatëdhjetë përfaqësues të feve të tjera. Prej këndej, besimtarët detyrohen të mblidhen si e ku të munden, pa gjetur një strehë të denjë për t’u takuar me Zotin. E, sikur të mos mjaftonte kjo, takimet gjithnjë më shpesh trazohen nga ndërhyrja brutale e ekstremistëve myslimanë, që ndikojnë fort edhe mbi autoritetet politike vendase. Bashkësia myslimane, shpjegon kryeipeshkvi i Semarang, Johannes Pujasumarta, në përgjithësi është tolerante, por nuk mungojnë grupet fanatike, që duan t’i arrijnë qëllimet e tyre me dhunë.
Pavarësisht nga kjo situatë aspak e lehtë, me rastin e Krishtlindjes, myslimanë e të krishterë e jetuan së bashku mesazhin e paqes. Në Samarang, Java qëndrore, në Meshën e Mesnatës ishte i pranishëm edhe një grup i madh besimtarësh myslimanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.