2013-01-04 17:02:34

Indi: Në Orisë, mijëra hinduistë në Meshët e Krishtlindjes: shenjë shprese për 2013-tën.


Qindra mijëra të krishterë e hinduistë morën pjesë në meshët e mesnatës, organizuar nga famullitë e Kandhamal, Bubhaneshvar dhe famulli të tjera të Orisës. Për imzotin John Barwa, kryeipeshkëv i Kuttack- Bubhaneshvar, një pjesëmarrje e tillë nuk është parë asnjë herë në historinë e Kishës në Orisë. I intervistuar nga agjencia AsiaNews prelati tregoi se në të gjitha kishat ndjehej fort fryma e paqes, e unitetit, e festës dhe e lutjes. Besimtarët katolikë e jo të krishterë ishin krah për krah, së bashku me familjet e tyre, në kremtimet e natës së Lindjes së Krishtit. Qindra fëmijë vendosën lule e qirinj para Shpellës së Betlehemit, dhuratë për Foshnjën Hyjnore. Kremtime të jashtëzakonshme, po të kujtosh progromet e fanatikëve hinduistë kundër të krishterëve më 2007 e 2008, gjatë të cilave humbën jetën qindra besimtarë. “Zoti zbriti mbi tokë për të ndenjur me ne, nënvizon kryeipeshkvi, e pak nga pak edhe besimtarët e feve të tjera po na njohin”. Për prelatin, turma me njerëz nga më të ndryshmit, është simbol, që tregon se Krishti i bashkon popujt e të gjitha kombeve.Një vajzë italiane, e pranishme në Meshë - pohon kryeipeshkvi- më pyeti: “Pse është mbledhur gjithë kjo turmë e larmishme në kishë?”. Iu përgjigja: “Duan të ndajnë bashkë gëzimin e ardhjes së Jezusit”.E, duke e parë gjithë këtë mori njerëzish, unë, shton prelati, e kuptova se nuk jam vetëm bari i të krishterëve. Ndjeva mbi supe barrën e bariut, që duhet t’i mbledhë të gjithë në një grigjë të vetme, e t’i ruajë.







All the contents on this site are copyrighted ©.