2013-01-04 15:50:09

Bashkësitë katolike kineze e kremtuan me devocion Krishtlindjen


Në krahinat e ndryshme të Kinës së pafundme, Krishtlindja u jetua me pjesëmarrjen masive të bashkësive katolike lokale.
Dashuri për të afërmin, ungjillëzim e jetë feje, ishin tri fjalët-kyçe, mbi të cilat reflektuan bashkësitë katolike kineze, gjatë kremtimit të Krishtlindjes, atmosfera e së cilës vijon. Për festat e dimrit, njofton agjencia Fides, në Kinë u kremtua edhe dita e tetë e bamirësisë, organizuar nga Jinde Charity, me titull “Unë e ti, së bashku”. Ndihmat e mbledhura dhe dhurimet e rreth 400 pjesëmarrësve, me vlerë rreth 50 mijë euro, do t’i dorëzohen organizatës për vajzat e familjeve të varfëra dhe fëmijët jetimë e të gjymtuar.
Ndërsa shuma, që u mblodh në një mbrëmje tjetër bamirësie, do të përdoret plotësisht për të sëmurët nga Sida. Lajmi i këtyre ngjarjeve u transmetua nga një mori organesh shtypi, gjë e pazakontë në Kinë, ku të krishterët kalojnë shpesh periudha të vështira e kremtojnë në kushte të mirënjohura nga besimtarët, që e jetojnë fenë e tyre nën diktaturat ateiste-komuniste. Gjithnjë gjatë festave, u bënë edhe një mori vizitash baritore: imzot Chen Gong Ao, ipeshkëv i dioqezës së Nan Chong, për shembull, i nxiti besimtarët ta jetojnë me gjithë shpirt Vitin e Fesë, shpallur nga Benedikti XVI e t’i kushtohen me të gjitha forcat ungjillëzimit.
Dioqeza e Da Zhou, në provincën e Si Chuan, ftoi në kremtimet e Krishtlindjes edhe shumë kinezë që nuk e njohin fenë e krishterë, duke shfrytëzuar rastin për t’ia çuar kumtimin e madh të Ungjillit edhe atyre, që nuk e kanë dëgjuar kurrë. Së fundi, në jug të Si Chuan, Krishtlindja u kremtua edhe me valle e këngë tipike vendase, për të dëshuar, kështu, se Festa e Ardhjes së Zotit mes nesh, është festë që i mbush njerëzit e të gjitha racave, me të njëjtin gëzim.







All the contents on this site are copyrighted ©.