2013-01-03 15:25:12

Çelësi i fjalëve të Kishës: fati i gjithësisë!


Mbërritëm në emisionin e parë të vitit 2013, me të cilin ju urojmë edhe një herë “për nga mot, gëzuar”. Me një farë ironie, mund të themi: “Gëzuar të gjithë atyre, që mbijetuan nga 21 dhjetori, ditë në të cilën profecia Maya parashikonte fundin e botës”. Dikush me të qeshur e dikush me gjithë mend, të gjithë folën për këtë ditë, duke e analizuar nga të gjitha anët e duke parashikuar të gjitha mundësitë, të qena e të paqena. Nëse bëjmë një kërkim në Google për këtë argument, do të na dalin së paku 40 milion rezultate për përvijimin e supozuar të planeteve e të Diellit me qendrën e Rrugës së Qumështit, që duhej të sillte përmbysjen e poleve magnetike të Tokës. Nuk ia vlen të diskutojmë për bazën shkencore të këtyre pohimeve, natyrisht, të rreme. Por, në programin e sotëm, do të flasim për botëkuptimin e krishterë mbi fatin e gjithësisë.
Shkenca na thotë se universi ka filluar të ekzistojë si i tillë rreth 14 miliard vjet më parë. Ai përbëhet nga 4% lëndë, ta quajmë “e zakonshme”, nga 23% lëndë e zezë, apo e errët dhe, nga 73% energji e errët. Sipas të dhënave më të besueshme, universi zgjerohet vazhdimisht e ky zgjerim përshpejtohet nga energjia e errët. Ky shpjegim shkencor parashikon që fillimisht, gjithësia të ketë pasur një zgjerim eksponencial, domethënë shumë të shpejtë e pastaj, kjo shpejtësi është zvogëluar e në të ardhmen, do të çojë në të ashtuquajturën “grisje”, apo “shqyerje” të universit. Dikush mendon se kjo “grisje” do të bëhet herë pas here, në vende të ndryshme, në kohë të ndryshme, pra gjithësia nuk do të marrë fund njëherësh. Kaq, shkenca, deri më sot! Duhet të kujtojmë se njohuritë tona mbi botën, pavarësisht se mjaft të përparuara, nuk janë të plota e mund të ndryshojnë me kohën.
Në këndvështrimin e krishterë, universi e historia kanë kuptim të caktuar. Thellë në shpirtin e njeriut banon bindja se vdekja nuk mund ta ketë fjalën e fundit. Kozmologjia na mëson se gjithësia shkon drejt një gjendjeje përfundimtare ftohjeje dhe errësire; mesazhi i krishterë na tregon se me ringjalljen e ditës së fundme, Zoti do të rikrijojë çdo burrë e grua e të gjithë universin.
Ky realitet i së ardhmes shprehet në fjalët e Zbulesës së shën Gjonit apostull: “Pashë një qiell të ri e një tokë të re… Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]”(21, 1.3). Zbulesa është tekst profetik, jo informacion shkencor për të ardhmen e kozmosit e të njeriut. Është profeci, që na zbulon themelin më intim e orientimin e historisë. Në kontekstin historik, në të cilin shkruan, autori ungjillor përpiqet ta inkurajojë bashkësinë e të krishterëve, që vuan nga persekutimi.
Historia njerëzore e ajo e gjithësisë ka një kuptim, që i është dhënë nga Zoti-me-ne. Edhe nëse nuk vuajmë persekutimin, kemi gjithnjë nevojë për inkurajim. Fjala e Zotit na kujton se shkojmë drejt një të ardhme, në thelb, më të mirë, pavarësisht nga krizat e çdo lloji, që karakterizojnë çdo epokë. Na siguron se e ardhmja e njerëzimit dhe e gjithësisë është në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.