2013-01-03 15:38:07

Përshëndetja e fundit për Rita Levi Montalçinin. Imzot Sançez Sorondo: ishte mbretëreshë e shkencës


Duartrokitja e gjatë e mëse 4 mijë vetëve në Varrezat Monumentale të Torinos, shoqëroi dje pasdite trupin pa jetë të shkencëtarës italiane Rita Levi Montalçini për në banesën e fundit. Pas djegjes apo kremacionit, hiri i mbetur prej saj, në një urnë të thjeshtë, do të pushojë pranë motrës binjake Paola, që vdiq në vitin 2000. “Nuk e prisja një pjesëmarrje kaq të madhe”, tha mes lotësh, e mbesa e senatores për jetë, Piera Levi Montalçini. Në ceremoninë mortore ishin të pranishëm edhe ministra e autoritete të qeverisë italiane, si edhe krejt bashkësia hebraike e Torinos, në gjirin e së cilës lindi shkencëtarja, Çmim Nobel për Mjekësinë në vitin 1986. Rita Levi Montalçini, që u nda nga kjo jetë në moshën 103 vjeçare, bënte pjesë edhe në Akademinë Papnore të Shkencave. Folëm me kancelarin e kësaj Akademie, imzot Marselo Sançez Sorondo, i cili e pati njohur personalisht:
E njihja prej shumë vitesh: jam kancelar që nga 1998-a. Ishte vërtet një grua e jashtëzakonshme. Ne e emëruam presidente në dy takime mbi shkencën e neurologjisë. Ajo ka qenë gjithmonë pjesë e grupit të neuroshkencëtarëve më të zotë. Pastaj, kujtoj se vinte shpesh në Akademi, ishte besnike e madhe. Shqetësohej gjithnjë për dekadencën e dinjitetit njerëzor në shoqëri e interesohej sidomos për dinjitetin e gruas e për thirrjen e saj.
Si bashkëpunonte ajo me Akademinë Papnore të Shkencave?
Bashkëpunimi i saj – ashtu si ai i të gjithë anëtarëve të Akademisë – ishte i tipit shkencor, kontribuonte në sqarimin e problemit të së vërtetës në fushën e shkencës. Natyrisht, fusha e saj ishte truri, fusha e shkencave neurologjike, që është zhvilluar gjatë 60 vjetëve të fundit. Më parë, truri konsiderohej materie gri, por tani e dimë se ky organ është qendra e sistemit nervor; është diçka e mrekullueshme e trupit tonë. E ajo zbuloi këtë faktor rritjeje të trurit. Pra, tregoi se megjithëse truri i lokalizon ndjenjat, kujtimet, pjesën racionale, pjesën emocionale në zona të caktuara, është njëkohësisht edhe mjaft “i modelueshëm”. Nëse për ndonjë arsye çfarëdo dëmtohet gjysma e trurit, gjysma tjetër gjen mënyrën për ta kompensuar e për të vazhduar punën. Njëri nga shkencëtarët e grupit të neurologjisë ka botuar një libër ku flet për një student, i cili kishte vetëm gjysmën e trurit, por sot është bërë profesor universiteti.
Zbulimi i saj kryesor është faktori i rritjes nervore, NGF, për të cilin mori çmimin Nobel. Është zbulim i rëndësishëm për sëmundje si Alxajmer, apo Skleroza anësore amiotrofike…
Zbulim i rëndësishëm për vetë trurin, për sëmundjet, por edhe për sjelljet normale, për rëndësinë vendimtare që ka truri në të gjitha veprimtaritë tona, por sidomos në veprimtaritë më të larta, si vënia në përdorim e inteligjencës, e vullnetit, e lirisë. Rita Levi Montalçini ishte anëtare e Akademisë edhe më parë, pasi u paraqit nga profesori brazilian Çagas. Gjatë persekutimit të hebrenjve, pati shkuar në Brazil. Ishte shumë e lidhur me Akademinë, e cila e ndihmoi në kërkimet e saj. Sillte kontribute të rëndësishme në çdo sesion plenar. Mahniteshe me të: nuk shkruante asgjë, kujtonte gjithçka e përmendte një shifër pas tjetrës. Unë kështu e kujtoj, me atë delikatesën e saj, me sjelljet e saj kaq fine, kaq elegante, sa e kënaqur, aq edhe e kujdeshme në ndërhyrjet e saj. Kujtoj betejat e saj në favor të grave dhe të arsimimit të tyre, për barazi me burrat përsa i përket mundësisë për t’iu afruar njohurive dhe punës kërkimore. Ne e kujtojmë vërtet si mbretëreshë të shkencave.







All the contents on this site are copyrighted ©.