2013-01-03 12:01:11

Prof. Anton Çeta në përvjetorin e lindjes


Përkujtojmë sot më 3 janar prof. Anton Çetën, gjakovarin e madh, intelektualin e ndritur, mbledhësin e shquar të folklorit, shkrimtarin e njohur e pajtuesin e palodhur të gjaqeve, në përvjetorin e lindjes.
Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë.
Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.
Pikërisht letërsisë gojore popullore shqiptare i kushtoi përpjekjet më të mëdha të jetës. Prof. Anton Çeta la pas si autor apo si bashkautor 20 vëllime, bazë e rëndësishme për studimin e folklorit.
Ai u bë i njohur edhe si poet i letërsisë fëmijërore dhe si përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e serbo-kroatishtja. Nga gjuha frënge përktheu disa prej veprave të Alfons Dodesë e të Gi Mopasanit; nga gjuha italiane, vepra të Edmond D’Amicis e Alberto Moravias. Nga kjo gjuhë përktheu edhe veprën lirike të Pashko Vasës “Trëndafil e gjemba”.
Që nga viti 1990 prof. Anton Çeta u vu në krye të aksioni mbarë popullor për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e jashtë saj, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për zhdukjen e hasmërive, për shërimin e shoqërisë shqiptare e pajtimin e njerëzve duke zgjuar ndërgjegjësimin për vlerën e paçmueshme që është jeta, dhuratë e Zotit. Prof. Anton Çeta u bë kështu, që për së gjalli, institucion i urtisë së popullit shqiptar, zbulues i thesarit të tij e i shpirtit të tij.
Mbeti në kujtesën e njerëzve e të historisë: i saktë, i njerëzishëm, fisnik e dinjitoz, i dashuruar me kulturën e popullit të vet: të vjetër e të re, të pashkruar e të kultivuar, ashtu si dhe me kulturën perëndimore e me gjithçka bën pjesë në thesarin e krijuar nga mendja e zemra njerëzore.
Po kujtojmë disa prej veprave të tij:
“Këngë dasme” I-II, Anekdota I; “Vajtime, gjëmë dhe elegji”. “Rapsodi e një poeme shqiptare” të De Radës; “Në prehën të gjyshes” (1955); “Tregime popullore të Drenicës” I-II(1963); “Kërkime folklorike” (1981); “Nga folklori ynë I-II” (1983-1989). Vdiq më më 2 nëntor 1995.







All the contents on this site are copyrighted ©.