2013-01-03 11:55:16

më 3 janar Kisha përkujton Shën Gjenovefën


Shenjta franceze Zhenëvievë, emër që më pas, i përhapur në mbarë viset e krishtera, nisi të shqiptohej Gjenovefë, duhet të ketë lindur në Nanterre në vitin 420. Ishte ajo që e shpëtoi Parisin nga hunët e Atilës në vitin 451. Një vit më vonë vdiq e u varros mbi një nga kodrat e kryeqytetit francez. Mbi reliket e saj në fillim u ngrit një monument i thjeshtë i cili, shekuj më vonë e pikërisht në kohën e sundimit të Luigjit të 15-të, u shndërrua në abaci madhështore.
Gjatë periudhës së terrorit, jakobinët ia dhunuar reliket, duke e shndërruar Kishën në Panteonin aktual, vend i varrimit të njerëzve më të shquar të Francës. Pas kësaj ngjarjeje, kulti në nderim të shën Gjenovefës u ruajt në Kishën më të afërt, atë që njihet me emrin Sent-Etienë-dy Mont.
Emri Gjenovefa vjen nga keltishtja e do të thotë bardhoshe. Simbolet e shenjtës, që njihet Pajtore qiellore e Parisit, janë qiriu e zambaku. Emri Gjenovefë, shumë tingëllues, është mjaft i përhapur në të gjitha viset shqiptare. Shkurtimi tij është Vefa e Vevi.

Mbi figurën e Gjenovefës nga rubrika radiofonike e R.V. “365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës” e datës 15 shkurt 2008
15 shkurt: Gjenovefa që shpëtoi Parisin nga uria
Mbi Urën e Turnelës, në zonën e pestë të Parisit, tek këmbët e një shtylle vigane, ndodhet një grup i vogël turistësh.
“Kush është ajo?” – pyet një vogëlush, duke treguar me gisht shtatoren e vendosur në maje të shtyllës.
“Është Shën Gjenovefa, Pajtorja e Parisit” - përgjigjet aty për aty shoqëruesi.
Në të vërtetë, Gjenovefa ka lindur në Nanterrë, në vitin 422, nga një familje galo-romake. Ishte ende vajzë e vogël, kur ndjeu thirrjen e Krishtit, e njëzet vjeçe, kur ia kushtoi gjithë jetën Hyjit”.
“E Atila? – ç’ ka të bëjë me këtë histori” - pyet padurueshëm një djalosh.
“Aty do të dal… - e ndërpret shoqëruesi - Kur Gjenovefa ishte tridhjetë vjeçe, hunët pushtuan veriun e Galisë, duke plaçkitur të gjitha fshatrat nëpër të cilat kalonin. Arritën shumë shpejt tek portat e Parisit, pasi kishin mbjell panik në të gjitha qytetet. Dukej se vetëm Gjenovefa nuk e kishte humbur toruan: ia doli mbanesh të ruante qetësinë, edhe atëherë kur shqetësimi bridhte rrugëve të qytetit, e t’i siguronte parizianët se hunët nuk do ta shtinin kurrë në dorë Parisin. Ishte bijë e një ushtaraku, prandaj kishte arsye të besonte se hunët nuk e kishin ndër mend të marshonin mbi qytet. Në se Zoti nuk dëshironte, ata nuk do të sulmonin. Gjenovefa mblodhi disa gra, me të cilat filloi të lutet me gjithë zemër; pak nga pak në qytet u krijua një zinxhir lutjesh e… hunët u larguan nga Parisi. Kështu Gjenovefa u bë shumë e njohur në të gjithë qytetin. Por mrekullitë që bëri vajza për Parisin, nuk mbarojnë me kaq. Kur frankët e rrethuan qytetin, ajo u vu në krye të punës për furnizimin e popullsisë. Kur Parisi provonte zinë e bukës, ajo ndihmonte më të varfrit e u siguronte të gjithëve ushqimin e nevojshëm. E po ajo ndërtoi bazilikën e parë për të nderuar Shën Dënisin.
Gjenofeva ia kushtoi gjithë jetën Hyjit e Parisit. Kur Klodoveu, mbreti i frankëve, u pagëzua e zgjodhi Parisin si kryeqytet të mbretërisë së tij, gëzimi i saj qe i jashtëzakonshëm…”.
Shoqëruesi hesht për disa sekonda. Ndërsa ai fliste, grupi është ngjitur mbi një kodrinë e tani ndodhet para Panteonit.“Gjenovefa u varros pikërisht këtu, mbi këtë kodrinë” – vijon shoqëruesi. - Në fillim këtu ishte një bazilikë kushtuar Shenjtorëve Apostuj. Pastaj Luigji XV ndërtoi një Kishë më të madhe për nder të Shën Gjenovefës: është Panteoni, që shikoni para jush! Por monumenti, i cili në fillim ishte Kishë, në kohën e Revolucionit francez u shndërrua në mauzole, ku tani ruhen eshtrat e njerëzve më të shquar të historisë franceze. Gjithsesi, Parisi nuk e harroi kurrë Pajtoren e vet: kodra mbi të cilën ndodhemi, vijon të quhet edhe sot e kësaj dite Mali i Shën Zhënevievës. (nga 15.02.2008 RV)







All the contents on this site are copyrighted ©.