2013-01-03 11:51:46

Krishtlindja me Papën: “Fjalë shprese?”


Libri i Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger “Fëmijëria e Jezusit” e me të, edhe rubrika jonë radiofonike “Krishtlindje me Papën”, i afrohen faqeve të fundit. Sot, përpjekja e Benediktit XVI për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje të vështirë:“Mbi cilin nga profetët bazohet Mateu, për të na transmetuar Fjalën e shpresës?”.
Por, para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, kujton Papa Ratcinger, ndoshta do të ishte e nevojshme të japim disa shpjegime të tipit gjuhësor. Në Besëlidhjen e Re, Jezusi njihet me dy tituj: “Nazōraîos” dhe “Nazarēnos”. “Nazōraîos” përdoret nga Mateu, nga Gjoni e edhe në Veprat e Apostujve. Ndërsa tek Marku e gjejmë në formën “Nazōraîos”; Luka i përdor të dyja format. Në botën e gjuhës semitike, ndjekësit e Jezusit quhen nazorei, në atë greko-romake, të krishterë (cfr Vap11,26). Por tani duhet të pyesim shumë konkretisht: “A gjindet në Besëlidhjen e Vjetër ndonjë gjurmë profecie, që na çon tek fjala “Nazoreo” e që mund të përdoret për Jezusin?”.
Ansgar Wucherpfennig e përmbledh me kujdes diskutimin e vështirë ekzegjetik, në monografinë e tij kushtuar Shën Jozefit, shkruan Papa në veprën “Fëmijëria Jezusit”, e shton: po përpiqem të përmbledh pikat më të rëndësishme. Ekzistojnë dy linja kryesore për të njëjtën zgjidhje.
E para na kujton premtimin e lindjes së gjykatësit Samson. Engjëlli, që kumton lindjen e tij, thotë se do të ishte “nazireo”, domethënë, i kushtuar Zotit që nga kraharori i nënës, e kjo, sipas rrëfimit të së ëmës, deri në ditën e vdekjes së tij (Gjq 13,5-7). Kundër këtij derivati etimologjik të titullit “nazoreo”, përdorur për Jezusin, flet fakti se ai nuk përkon me kriteret e ‘nazireo’, që kujtohen në Librin e Gjyqtarëve, posaçërisht me atë të ndalimit të alkoolit. Jezusi nuk ishte “nazireo” në kuptimin klasik të fjalës. Ndonëse titulli vlen edhe për të, sepse iu kushtua Zotit që nga kraharori i nënës e deri në vdekje. Madje në një mënyrë, që ia kalon pambarimisht rasteve të kësaj natyre. Në se rikujtojmë atë që thotë Luka për paraqitjen-shuguruese të Jezusit, të Parëlindurit, para Zotit, në Tempull, ose në se kemi parasysh paraqitjen e Tij nga Shën Gjon Pagëzuesi, si ai që vjen plotësisht nga Ati, jeton në Të e drejtohet kah Ai, atëherë bëhet e dukshme me një thellësi të jashtëzakonshme se Jezusi i qe kushtuar vërtet e plotësisht Hyjit, që nga kraharori i Nënës e deri në vdekjen mbi kryq.
Linja e dytë e interpretimit niset nga fakti se në emrin “nazoreo” mund të ndjehet në nëntekst edhe fjala ‘nezer’, që është në qendër të fjalëve të Izaisë (11,1): “Një filiz (nezer) do të shpërthejë nga trungu i Isait; shpirti i dijes e i kuptimit”. Kjo fjalë profetike duhet lexuar në kontekstin e trilogjisë mesianike te Izaia 7 (Vasha-Virgjër do të nxjerrë në dritë një djalë); Izaia 9 (Dritë në mes terrinash, një fëmijë lindi për ne) dhe Izaia 11(Mbi të do të pushojë shpirti i Zotit). Elementi i veçantë në këtë premtim, është fakti se rilidhet, përtej Davidit, me kryetarin e fisit të Isait. Nga trungu, në dukje i tharë, Hyji bën të mugullojë një filiz; një fillesë e re, në vazhdimësi të thellë me historinë e premtimit.
Si mund të mos na shkojë mendja në këtë kontekst, kujton Benedikti XVI në veprën Fëmijëria e Jezusit, tek përfundimi i gjenealogjisë së Jezusit sipas Mateut e cila nga njëra anë karakterizohet krejtësisht nga vazhdimësia e veprimit shëlbues të Hyjit, e nga ana tjetër, në fund, përmbyset e flet për një fillesë krejt të re, me të cilën ndërhyn vetë Hyji, duke dhuruar një lindje, që nuk vjen më nga gjinia njerëzore? Po, mund të hamendësojmë me arsye të plotë se Mateu, në emrin e Nazaretit, ndjeu jehonën e fjalës profetike të ‘nezer-it”, filizit; e në titullin ‘nazoreo’ të Jezusit, dalloi cekjen e përmbushjes së premtimit, sipas së cilës Hyji, nga trungu i tharë i Isait, do të siguronte mugullimin e një filizi të ri, mbi të cilin do të pushonte Shpirti i Atit.
Në se shtojmë që në mbishkrimin mbi Kryq, Jezusi quhet “nazoreo” (ho Nazōraîos) (cfr Gjn 19,19), titulli fiton kuptimin e vet të plotë; ajo, që në fillim tregonte vetëm vendin prej nga vinte, nënkupton njëkohësisht edhe natyrën e tij: Ai është ‘filizi’; është Ai, që iu kushtua plotësisht Hyjit, nga gjiri i nënës, deri në vdekje!







All the contents on this site are copyrighted ©.