Siri.Thirrje e imzot Hindo: gruri ynë u plaçkit e iu shit turqve.
Dy thirrje urgjente iu drejtuan presidencës së Fao-s (Organizatë e Kombeve të Bashkuara
për ushqimin e bujqësinë), me seli në Romë, dhe kryeministrit irakian, Nuri al-Maliki,
me kërkesën për ndërhyrje të menjëhershme përballë emergjencës humanitare, që po i
dërrmon qindra mijëra sirianë në zonën e Zhazirës, në Mesopotaminë e Epërme siriane.
Autor i thirrjeve është imzot Zhak Behnan Hindo, kryeipeshkëv i kryeheparkisë siro-katolike
të Hassaké-Nisibit. Prelati e përshkruan me hollësi gjendjen tragjike që, sipas tij,
mund të shndërrohet shumë shpejt në situatë katastrofike. E nuk mund të jetë ndryshe,
në një vend me ekonomi të paralizuar, me qarkullim rrugor të ndërprerë, me zhdukje
të prodhimeve më të domosdoshme për jetesën e me rritje marramendëse çmimesh. Pa llogaritur
mungesën e energjisë elektrike dhe amullinë e plotë të bujqësisë. E kësaj situate
i shtohet edhe grabitja e drithit që, nën hundën e doganierëve turq, u shitet tregtarëve
në Turqi. E kjo, në sa afrohet koha e mbjelljeve të reja. “Ju lutemi të na ndihmoni
sa më shpejt, me karburant, benzinë e drith!”. Me këto fjalë i drejtohet bashkësisë
ndërkombëtare dhe kryeministrit al-Maliki ipeshkvi sirian, përmes agjencisë Fides,
me shpresë se dikush do ta zgjasë dorën, për të ndihmuar një popull, që po kalon vështirësi
e vuajtje të papërshkrueshme.